E mbani mend muaj më parë kur disa prokurorëve iu refuzua viza amerikane sepse Ambasada amerikane doli në përfundimin se këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza?
Një prej atyre që iu revokua viza amerikane ishte prokurorja Rovena Gashi, drejtuese e strukturës për dekriminalizimin e deputetëve dhe zyrtarëve pranë Prokurorisë së Përgjithshme, si dhe drejtore e Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë.
Zonja Gashi është bashkëshortja e Prokurorit të Elbasanit, Dritan Gina nga i cili mendohet se kanë dalë fotot e dy patentave në emër të ish-ministrit Saimir Tahiri, që u gjetën në makinën e biznesmenit 25-vjeçar, Orest Sota.
Ky i fundit u arrestua dy ditë më parë sepse është kapur nga policia me shumën prej 863 mijë eurove në makinë, që sipas dëshmisë së tij e kishte për të blerë hekur pranë kompanisë “Kurum”.
Asokohe kur Ambasada amerikane në një njoftim për mediat theksoi se nuk do të japë emra, për shkak se të dhënat e vizave janë konfidenciale sipas ligjit të SHBA-ve, ka qenë kryeprokurori Adriatik Llalla, i cili i nisi një letër presidentit të asaj kohe, Bujar Nishani dhe kryeparlamentarit po të asaj kohe, Ilir Meta.
Në këtë letër u zbuluan dy emrat që u janë refuzuar vizat, ku i pari ishte vetë kryeprokurori Llalla dhe e dyta zonja Rovena Gashi.
U bë në fakt e disata herë që ka rrjedhje informacioni nga ana e prokurorëve, siç ndodhi edhe në rastin e zbulimit të drogës në shtëpinë e infermierit Armando Koçerri, i lidhur me bandën e Habilajve (Foto të Prokurorit të Elbasanit, Dritan Gina nuk gjetëm).(Tiranapost.al)