Prokuroria e Krimeve të Rënda ka marrë në pyetje të dyshuarin si bashkëpunëtorin e ngushtë të Moisi Habilajt, Nezar Seitin. Ky i fundit gjendet në burg me afat 20 ditë, teksa pritet që të ekstradohet në Itali, si i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës që kryente grupi kriminal.
Marrja në pyetje ka ardhur pasi Krimet e Rënda kanë siguruar dosjen e Nezar Seitit, të ardhur nga Prokuroria e Katanias, e cila u përkthye në Ministrinë e Drejtësisë. Pikërisht, Krimet e Rënda e kanë pyetur Nezarin për përgjimet dhe rolin e tij në trafikun ndërkombëtar të drogës.
Burime pranë organit të akuzës thonë se Nezar Seitit i është ofruar statusi i bashkëpunëtorit, por ai e ka refuzuar një “marrëveshje” të tillë, shkruan “panorama”. Seiti ka pranuar para prokurorëve të Krimeve të Rënda se ka lidhje krushqie me Habilajt, pasi gruaja e tij i ka kushërinj.
Gjithashtu, ai ka thënë se ka udhëtuar shpesh drejt Italisë në kërkim të punëve të ndryshme, dhe se kthehej shpesh në Shqipëri për të parë prindërit e moshuar, që banojnë në Vlorë.
Lidhur me trafikun e drogës, dhe rolin e tij si bashkëpunëtor i Moisi Habilajt, Nezar Seiti nuk ka preferuar të japë shpjegime.
Ai ka kërkuar që të gjykohet në shtetin fqinj, ku janë ngritur akuzat e para, duke i thënë “po” ekstradimit. Nga ana tjetër, pritet që të mbërrijnë shkresat përkatëse nga Itali për ekstradimin e Nezar Seitit.
Ndërkaq, në pyetje është marrë edhe i arrestuari tjetër në Babicë të Vlorës, Armand Koçerri. Edhe ky dyshohet se është i përfshirë në trafikun që kryente grupi i Habilajve, i cili sipas dosjes se Katanias ka xhiruar 20 milionë euro në tre vjet.
Edhe pse në banesën e Koçerrit u gjetën 4 tonë kanabis, ky i fundit ka mohuar akuzat dhe nuk ka dashur të japë shpjegime të mëtejshme. Ndryshe nga Nezar Seiti, Koçerri nuk përmendet në dosjen e përgjimeve.
Ndërsa Seiti është përgjuar gjatë qëndrimit në Itali, ku në të shumtën e rasteve ai kujdesej, sipas përgjimeve, për mbërritjen e ngarkesave, transportin dhe karburantin e skafeve.
Krimet e Rënda tashmë janë në pritje deri të premten të dosjes së plotë të ardhur nga Prokuroria e Katanias, në mënyrë që të ndërmarrin hapat e mëtejshëm për të akuzuarit. Gjithashtu, vazhdojnë kërkimet për Florian Habilajn, i cili është ende në arrati.
Dy ditë më parë, Krimet e Rënda sekuestruan edhe bllokun e hyrje-daljeve të Ministrisë së Brendshme, për të verifikuar nëse ndonjë prej anëtarëve të bandës ka pasur takime me ish-ministrin Tahiri në ato mjedise./a.m.