Ish-kryeministri Sali Berisha dhe njëherazi mbrojtësi më i flaktë i Marrëveshjes së Detit me Greqinë ka hedhur sot akuza të rënda në adrëse të Gjykatës Kushtetuese. Duke sulmuar kryeministrin aktual, Berisha tha se Edi Rama e bleu trupën gjykuese, e cila mori një vendim 9 me 0 kundër marrëveshjes së firmosur mes dy palëve në vitin 2009.
“Përmende marrëveshjen e Detit. Do të të them kaq: Bëre gjithçka me para dhe korrupsion, anulove një marrëveshje, e cila në njëmijë gjykata po të dalë në parimin e traktatit të detrave është…” – tha sot ish-kreu i ekzekutivit në sallën e Parlamentit teksa i drejtohej Ramës.
Në fakt, akuzat e Sali Berishës në adresë të Gjykatës Kushtetuese janë të përsëritura. Vetëm kur bie fjala për marrëveshjen e detit me Greqinë, ish-kryeministri ‘harron’ sa e sa vendime janë marrë në favor të qeverisë së tij pikërisht nga ky organ.
Por a mundet që Sali Berisha t’i akuzojë gjyqtarët e Kushtetueses për vendimin e marrë në disfavor të dëshirës dhe planit të qeverisë së tij dikur? Në fakt, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që mban datëb 15 Prill 2010 shprehet qartë për një anashkalim që ekzekutivi i ka bërë së pari rolit të presidentit. Pra, nuk bëhet fjalë për një vendim të marrë me ‘dashakeqësi’ ndaj qeverisë “Berisha”, por një vendim të marrë bazuar në ligjshmërinë e marrëveshjes.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të prillit 2010, shkeljet janë të shumta. Presidentit të kohës, Bamir Topi, nuk i ishte kërkuar plotfuqishmëria për negociatorët shqiptarë. Nga ana tjetër, nëntëshja e gjyqtarëve shprehet se bëhet fjalë edhe për “moszbatimin e parimeve bazë të së drejtës ndërkombëtare për ndarjen e hapësirave detare mes dy vendeve me qëllim arritjen e një rezultati të drejtë dhe të ndershëm”.
Brenda vendimit të saj është dhe “loja” e rëndë që negociatorët shqiptarë në fillim, ish-ministri i Jashtëm në vazhdim dhe gjithë deputetët shqiptarë që votuan pro marrëveshjes, i kanë bërë kryeministrit Berisha. Të paktën sipas Gjykatës Kushtetuese, është shkelur dhe urdhri 135 i kryeministrit Berisha të datës 23 gusht 2007, firmosur nga Berisha që kërkonte ngritjen e “grupit ndërinstitucional të punës për përcaktimin e shelfit kontinental me vendet fqinjë”.
Që prej vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Prillit 2010, Greqia vijon të këmbëngulë për zbatimin e marrëveshjes së firmosur prej Lulzim Bashës dhe Dora Bakojanis. Kjo marrëveshje, është temë diskutimi pothuajse në çdo takim që bëhet mes zyrtarëve të lartë të dy shteteve. Ndërsa arsyeja pse Berisha është në të njëjtën linjë me Athinën saqë sulmon edhe Kushtetuesen si të blerë edhe sot pas 7 vitesh nga vendimi, mbetet një pikëpyetje. /JavaNews/A.R
Anëtarët e GJykatës Kushtetuese të akuzuar sot nga Sali Berisha si të blerë: Vladimir Kristo, Fehmi Abdiu, Kujtim Puto, Petrit Plloçi, Vitore Tusha, Sokol Berberi, Sokol Sadushi, Admir Thanza, Xhezair Zaganjori
Faqja e parë dhe e fundit e vendimit. Për vendimin e plotë KLIKO KËTU!