Një 48-vjeçar nga Korça është arrestuar për prodhim të paligjshëm të artikujve, pasi ambalazhonte me etiketa në gjuhën greke vaj ushqimor “Alkis”.
Kosta Fshati, në punishten në lagjen 10 të qytetit, ambalazhonte vaj ushqimor që dyshohet se kishte futur në mënyrë kontrabandë në territorin shqiptar.
Gjatë kontrollit në punishten në pronësi të tij, policia i gjeti:
-5(pesë) depozita metalike dhe plastike të përmasave të ndryshme,
-1300 (njëmijë e treqind) litra vaj ushqimor me mbishkrime greke i dyshuar si kontrabandë,
-1500 (njëmijë e pesëqind) etiketa në gjuhën greke me mbishkrime të ndryshme,
-494 (katërqind e nëntëdhjetë e katër) kuti metalike dhe plastike të kapaciteteve 0.25, 0.5, tre, pesë dhe dhjetë litroshe me mbishkrim në gjuhën greke “Extra virgin Olive Oil” dhe “Olive Oil”,
-1180 (njëmijë e njëqind e tetëdhjetë) shishe e bidona plastikë dhe metalikë, 0.5, tre, pesë dhe dhjetë litroshe me mbishkrime greke, si dhe
-17 (shtatëmbëdhjetë) fuçi plastike bosh 60 litroshe.
Nga hetimet dhe verifikimet e kryera, dyshohet se këtë punishte Kosta Fshati e përdorte për prodhimin dhe ambalazhimin e vajit ushqimor në mënyrë të paligjshme, duke përdorur etiketa në gjuhën greke me mbishkrime të ndryshme me qëllim shitjen e tij në tregun vendas.
Kosta Fshati ka qenë i dënuar në vitin 2010 për të njëjtat vepra penale, për prodhim të kundërligjshëm të artikujve ushqimorë dhe falsifikim të stampave.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale : “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”, “Shkelja e të drejtave të pronësisë industrial”, “Fshehja e të ardhurave”
a.ç