Elisa Spiropali do të zëvendësojë Saimir Tahirin në postin e Koordinatorit Kombëtar për Bashkëqeverisjen me Qytetarët. Ndërkohë, në postin e kryetarit të PS për Tiranën, post i cili edhe ky mbahej nga Tahiri, do të jetë deputetja Blerina Gjylameti.
Këto janë vendimet e marra nga Kryesia e PS e cila një prej pikave të rendit të ditës kishte pikërisht zëvendësimin e Tahirit nga detyrat që mbante në parti. Lajmi u konfirmua nga kreu i Grupit të PS Taulant Balla.
“Elisa Spiropali koordinatore kombëtare e bashkëqeverisjes me njerëzit për të vijuar komunikimin me njerëzit në çdo cep. Po ashtu dua të komunikoj me ju që kryesia e partisë ka shprehur qoftë vlerësimin për punën e deritanishme, por dhe besimin e madh që kolegia jonë Blerina Gjylameti të drejtojë PS-në e Tiranës në vijim”, deklaroi pas mbledhjes kryetari i Grupit të PS Taulant Balla.
Deputeti Saimir Tahiri u pezullua nga funksionet në Partinë Socialiste pas akuzave nga prokuroria për përfshirje në dosjen “Habilaj” ndërkohë kryeministri Rama deklaroi se ish-ministri Tahiri do të jetë një deputet i lirë deri në fund të hetimeve.
/a.m.