Në shkurt të këtij viti, në qendër të Tiranës apartamentet po shiteshin me shpejtësi, çmimet ishin rritur dhe menaxherët pohuan se shumica e blerjeve të apartamenteve ishin bërë me pagesë të plotë, në një pjesë të konsiderueshme në cash, sipas një vëzhgimi që Monitor kreu në atë kohë në kryeqytet.
Jo zyrtarisht, të gjithë aktorët e tregut, ndërtues dhe agjentë të pasurive të paluajtshme, pohuan në shkurt se paratë e gjeneruara nga aktivitetet e jashtëligjshme po investoheshin në pasuri të paluajtshme, kryesisht në cash. Ata po blinin shtëpi në zona të mira dhe sipërfaqe të mëdha, që kushtonin rreth 200 mijë euro dhe ishin të papërballueshme nga pjesa normale e popullsisë me të ardhura mesatare dhe nuk mund të bliheshin as me kredi.
Por edhe pse tregu i pasurive të paluajtshme ka hyrë në të tretin gjashtëmujor me ecuri pozitive sipas burimeve nga agjencitë, ka pasur një stepje në blerjet e pasurive të paluajtshme.
Aktorët e tregut pohojnë se muajt e fundit është vënë re një stepje e blerjeve të mëdha, që e lidhin me procesin e Vettingut, i cili parashikon se do të kalojë në filtër pasurinë e zyrtarëve.
Edhe çmimet janë stabilizuar pas rritjes së fillim vitit, madje ka pasur një tendencë në rënie në zonat e preferuara në qendër, ndryshe nga periferia ku është konstatuar një shtrenjtim prej 15-20% muajt e fundit.
Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, procesi i vetting-ut ka sjellë pezullim të transaksioneve të kësaj kategorie, e cila është aktore e rëndësishme në treg, shkruan Monitor.
Skemat e përdorura: Të blesh shtëpi me para në dorë, jo aq e vështirë
Të blesh një apartament në cash në kryeqytet nuk është e vështirë. Skema e zakonshme dhe e përhapur më gjerësisht është deklarimi i blerjes së apartamentit me çmimet e referencës, apo çmim fiskal, ku në zona të caktuara shkon deri në 1000 euro më pak se çmimi i tregut, ndërsa pjesën tjetër të shumës në dorë. Pra, në rast se blen një apartament me vlerë reale 200 mijë euro dhe paguan me bankë 100 mijë euro, të cilat i deklaron për efekt taksash, 100 mijë të tjera ia jep firmës së ndërtimit në dorë. Pas disa vitesh, apartamentin e blerë nën vlerën e tregut e rivlerëson.
Kur bëhet fjalë për shuma të pajustifikuara në formën e kursimeve, ndërtuesit ofrojnë mundësinë e derdhjeve periodike fiktive të shumave që nuk e kalonin vlerën e 1 milion lekëve (që është kufiri nga ku fillon e bën deklarimin e burimit të të ardhurave).
Fuqia blerëse
Sipas ekspertëve të ‘real estate’, niveli i pagave në vend dhe shuma mesatare e kredisë që jepet nga bankat nuk e justifikojnë blerjen e apartamenteve të shtrenjta mbi 2000 euro/m2 dhe me sipërfaqe të mëdha mbi 100 m2, por deri në 1000-1200 euro/m2 dhe sipërfaqe të moderuar. Bankat japin kredi mesatarisht në shuma 30-60 mijë euro dhe duke përfshirë dhe kursimet e jetës një familje mund të blejë një shtëpi që kushton mesatarisht 50-100 mijë euro.
Të ardhurat nga sektori informal dhe i kriminalizuar dhe korrupsioni kanë qenë gjithnjë një burim për blerjen e apartamenteve shtrenjta, që kushtojnë minimalisht 250 mijë euro (përveç çmimit të shtrenjtë ato janë në sipërfaqe të mëdha, minimumi 100 metra katrorë). Ndërtimet në zona të mira të Tiranës i përkasin pikërisht kësaj kategorie, me sipërfaqe të mëdha dhe çmime për metër katror mbi 1500 euro/m2. /b.d