Menjëherë pas Deklaratave të kryeminsitrit Rama, i cili tha se mazhorancë kishte shpëtuar vettingun dhe Reformën në Drejtësi, ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
“Kontributi i Edi Ramës për drejtësinë është sulmi ndaj prokurorëve, ndaj dëshmitarëve, policëve të ndershem e madje edhe ndaj gazetarëve, siç bëri pasi plasi skandali Tahiri. Ndaj me paturpësi, përpjekjen e opozitës dhe gjithë shoqërisë për të çliruar politikën nga Sajmir Tahirët e drogës, nga ministrat që fikin radarët e ushtrisë dhe nga policët që ngarkojnë thasët e drogës e quajti sot një grindje të vogël.”
Basha tha se njerëzit e ndershëm, njerëzit e varfër janë rrëmbyer në kundërshtim me ligjin për akuza qesharake. Kriminelët janë nxjerrë nga burgu, janë bërë deputetë dhe kryetarë bashkie, drejtorë dhe “biznesmenë”.
“Edi Rama dhe shteti mafioz që ai drejton e arrestoi dhe e coi në vetëvrasje 22 vjeçarin Estref Halili nga Kolonja e Lushnjës për një cigare hashash. Për Tahirin, që është kapur në përgjimet e antimafias me tonelata hashash nuk ka arrest por mbrojtje politike me imunitet. Melita Çenga, infermiere nga Shkodra, Brunilda Meka nga Korça u hoqën nga puna dhe shkuan drejt vetëvrasjes se nuk mbanin dot familjen. Tahiri që në përgjimet e antimafias del se merrte 30 mijë Euro vetëm për një ngarkesë, bredh i lirë sepse e mbron Edi Rama”, tha Basha në një konferencë për shtyp.
Ai shtoi se “Resmije Alla, 35 vjeç humbi jetën duke rilidhur korentin për pompën e frymës së djalit të saj 6 vjec me azëm, se nuk kishte mundësi të paguante faturën e rritur. Tahiri merr 9 mijë Euro byzylykë, 15 mijë Euro diamante nga trafikantët, mban syze 10 mijë Euro, por për Edi Ramën këto janë letra bakalli. Qamil Zela, i burgosur, i vetëvarur për një borxh prej 3 mijë e 200 lekësh ndaj OSHEE, Arif Doda, Klajdi Muça, Llazar Nasi, Gjovalin Gjini, e dhjetëra të tjerë, i ka çuar Edi Rama drejt vetëvrasjes për faturën e energjisë, por për Ministrin e tij të Brendshëm me targë AA003GB që bënte trafik droge, nuk ka prova. Sepse atij “nuk i mjaftojnë 20 milionë Euro për fushatë” siç shprehen bashkëqeverisësit Habilaj në përgjimet e antimafias”.