Juristi Romeo Kara, personi i cili denoncoi publikisht aferën CEZ-DIA, skandali i cili tronditi në themel politikën shqiptare, e veçanërisht çiftin e famshëm për skandale Meta-Berisha, sot ka publikuar video provën, ku fakton se si Ilir Meta, mik i vjetër i të dënuarit me 11 vite burg nga drejtësia shqiptare për këtë aferë Kastriot Ismailaj, është përdorur nga presidenti aktual me qëllim të përfitimit të shumave të parave, duke i shkaktuar dëm shtetit qindra miliona euro, e duke varfëruar shqiptarët për përfitime personale. Faktet dhe provat të treguara në këtë intervistë, përballë gazetari Fatos Mahmutaj, janë tronditëse.
Juristi Romeo Kara, vetëm pak ditë më parë depozitoi një padi të shoqëruar nga një dosje voluminoze me prova kundër Ilir Metës, Sali Berishës dhe të gjithë personave kyç të përfshirë në aferën korruptive “CEZ”. Sot, juristi publikon video dëshminë, për rolin e Ilir Metës në këtë aferë dhe se si përfitonte para në mënyrë korruptive nga kjo marrëveshje, që të kujton videon skandalin e “bllokut të kuq të videos Meta-Prifti“.
“Te nderuar Miq,
Ju uroj shikim te kendshem, me qetesi dhe dashuri, tre videove te ndryshme te se njejtes interviste, te cilen gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava Ismailaj, ia dha me 12 shkurt 2016, ne nje hotel te Vienes, gazetarit investigativ Fatos Mahmutaj, ku ajo prononcohet qarte lidhur me natyren korruptive te kontrates DIA-CEZ, si dhe rolin e Ilir Metes ne kete afere.
Videot, jane nje material bruto i paperpunuar, ne baze te se cilit, u botua nje interviste e shkruar ne internet, disa muaj me pare, po nga gazetari Mahmutaj.
Nuk besoj se ekspertet inkompetente te videos Prifti, te thone perseri se videot jane te trukuara. Videot jane postuar nga une vetem pak minuta me pare.”, tha juristi Kara./Marre nga Zathur.net
INTERVISTA E PLOTE
Bashkëshortja e biznesmenit Kastriot Ismailajt gozhdon Presidentin e ri Ilir Meta për aferën e CEZ dhe përfitimet prej miliona eurosh që kërkoi prej tij. Vojsava Ismailaj, në një intervistë të gazetarit Fatos Mahmutaj, eksluzive për “Pamfleti.com”, shprehet se zbardhjen e “aferës së CEZ” ka qënë i interesuar Ilir Meta që ta bllokonte dhe për këtë ka lëvizur të gjithë gurët. Ajo në pjesën e parë të intervistës jep detaje të hollësishme se si Presidenti është munduar të përfitojë nga lidhjet e Ismailajt në Pragë. Njëherësh ajo thotë se pikërisht Ilir Meta që bëri të mundur uljen e çmimit të energjisë për CEZ i kërkoi Ismailit që ta “gjobisnin” kompaninë çeke të energjisë, pasi me këtë ulje kishte përfituar miliona euro.
Në mënyrë të drejtëpërdrejtë për këtë nder që ish-ministri i Jashtëm njëherësh dhe zv.kryeministri i qeverisë PD-LSI Ilir Meta kishte bërë për CEZ, kërkonte miliona euro prej kompanisë çeke, ku disponon sms-të e komunikimit të tij me Kastriotin. Bashkëshortja e Ismailajt nënvizon faktin se Meta ka kërkuar dhe para për fushatën elektorale dhe për këtë ajo ka sërish sms-të e komunikimit të tij me bashkëshortin e saj Kastriot Ismailaj.Vojsava Ismailajt shprehet se për të gjitha këto detaje që po zbardhen një nga një, është ndjerë e kërcënuar bashkë me familjen, kërcënime direkt dhe indirekte me jetë, vetëm e vetëm që të mbyllej arbitrazhi për DIA-n dhe CEZ. Pasi të implikuarit, me në krye Metën po shikonin se në çdo seancë po dilnin detaje të reja.
Zonja Vojsava përse keni vendosur të largoheni jashtë Shqipërisë? A ka lidhje kjo me letrën e kryetarit të Komisionit të Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë, zotit Spartak Braho, i cili deklaroi se ju jeni e kërcënuar dhe se duhet të mbroheni nga shteti?
Vojsava Ismailaj: Jam larguar nga Shqipëria, sepse pas arrestimit të bashkëshortit tim, Kastriotit, jam ndjerë e kërcënuar dhe e rrezikuar, jo siç deklaroi zoti Braho, por nga pushteti, dmth njerëz të veshur me pushtet. Çështjet për të cilat ai po hetohet janë madhore, janë çështje ku janë përfshirë dhe përfolur emra shumë të pushtetshëm të politikës shqiptare dhe unë si bashkëshortja e tij kam ndjerë se ne si familje mund të jemi të rrezikuar nga presione të njerëzve të pushtetshëm që nuk do të dëshironin që Kastrioti të sqaronte shumë detaje gjatë hetimeve që po kryhen ndaj tij..
Ka patur direkt dhe indirekt kërcënime. Persona të njohur të mi dhe të Kastriotit, më kanë thënë: Kastrioti të tërhiqet nga Arbitrazhi që të lirohet. Ky është kërcënimi që ka ardhur në mënyrë indirekte, direkt më kanë kërcënuar persona të panjohur për jetën time dhe të djalit tim, më kanë ndjekur dhe ruajtur gjatë gjithë kohës persona të ndryshëm, kudo ku unë shkoja, para shtëpisë etj.
Kur flisni për persona të pushtetshëm, siç e keni përmendur edhe më parë, për kë e keni fjalën konkretisht? A mund të përmendni ndonjë emër?
Vojsava Ismailaj: Mund të përmend Presidentin e sapoemëruar të Shqipërisë zotin Ilir Meta, i cili ishte një ndër personat e interesuar drejtëpërdrejtë që zhurma rreth të ashtuquajturës “afera CEZ” në Shqipëri, të shuhej. Kjo e lidhur me aktivitetin e tij kur ka qenë ministër i Jashtëm apo edhe ministër i Ekonomisë.
Ku e keni fjalën?
Vojsava Ismailaj: Kastrioti për shkak të aktivitetit të tij të hershëm, jashtë Shqipërisë kishte lidhje dhe miq në të gjitha anët e botës. Ilir Meta, por edhe të tjerë janë përpjekur vazhdimisht t’i shfrytëzojnë këto lidhje për të nxjerrë përfitime. P.sh lidhja e Kastriotit me CEZ në Pragë, është krijuar falë lidhjeve të tij dhe jo ndikimit të politikanëve shqiptarë. Këta të fundit kanë qenë ata, Ilir Meta në mënyrë të veçantë, që kanë shfrytëzuar lidhjet e Kastriotit, për të krijuar ata më pas lidhje me persona të rëndësishëm të biznesit apo edhe të politikës. Kështu ka ndodhur edhe me rastin e CEZ-it.
A mund të jeni më e qartë?
Vojsava Ismailaj: Kastrioti e kishte mik Ilir Metën dhe deri në fund të vitit 2012 marrëdhëniet e tij me Ilir Metën kanë qenë tepër të ngushta. Qysh në kohën para se të bëhej Kryeministër apo dhe person i rëndësishëm në politikë, Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë. Kemi kaluar shumë dreka dhe darka së bashku: Ilir Meta i kishte forcuar lidhjet me Kastriotin që në kohën e krijimit të FRESH-it. Kastrioti kishte ndërmjetësuar edhe pajtimin e Ilir Metës me Fatos Nanon dhe ky është një fakt i njohur publikisht. Për t’ju rikthyer historisë së CEZ-it, po sjell vetëm një shembull: ka qenë pikërisht Ilir Meta, që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit që t’u kërkonte çekëve që ta shpërblenin atë, pra Ilirin, me pretendimin se ai i kishte bërë të fitonin miliona euro.
Ju e dini këtë nga bashkëshorti juaj?
Vojsava Ismailaj: Jo vetëm nga ai. Mjaft që të shohësh sms-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qënë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale.
Dini ndonjë rast konkret? Nga kush dhe në çfarë periudhe?
Vojsava Ismailaj: Di shumë, jo vetëm një .. Por këto i di më mirë Kastrioti. Atë që mund të them unë është se në kohën që u prish kontrata e DIA me CEZ, Kastrioti ka qenë shumë i shqetësuar se Ilir Meta i kërkoi një shumë të madhe eurosh.