Java që po lëmë pas është shoqëruar me debate të forta mes palëve politike, dhe jo vetëm, për shkak ë situatës së krijuar pas publikimit të përgjimeve të autoriteteve italiane për dosjen Habilaj.
Përfshirja në të e emrit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, ka bërë që situata politike në vend të bëhet edhe më e nxehtë.
Teksa deputeti Tahiri, tashmë jashtë grupit të PS, po hynte në Parlament ku deputetët e Kuvendit do të votonin mbi kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e tij, ai është shfaqur krah dy deputetëve socialistë.
Momenti kur deputetja Evis Kushi dhe ministri i Jashtëm Ditmir Bushati bisedojnë me Tahirin para hyrjes së Parlamentit, nuk i ka shpëtuar objektivit të kamerave, dhe është bërë pjesë e rubrikës humoristike në emisionin “Kjo javë” në “News24”.
Pjesë e kësaj rubrike është edhe momenti kur deputeti demokrat Edi Paloka vendosi para ulëses së kryeministrit Rama në Parlament, banderolën ku shkruhej “qeveri mafioze”. Pasi e largon punonjësi i Gardës, afrohet deputeti Flamur Noka, me një tjetër banderolë, “qeveri e drogës”.
Ajo çka krijoi më shumë reagim gjatë kësaj javë, është qëndrimi që kryeministri Rama mbajti ndaj gazetarëve fill pas seancës plenare të së mërkurës, ku Kuvendi rrëzoi kërkesën e prokurorisë për arrestimin e deputetit Tahiri, duke vendosur që ai të hetohet i lirë.