Brenda vitit të ardhshëm Tirana do të ketë një rrjet modern tregjesh publik të fruta-perimeve, për t’i dhënë fund fenomenit të shitjes produkteve ushqimore në rrugë. Për këtë qëllim, Bashkia e Tiranës ka nisur projektin e ndërtimit të tregjeve të reja në të gjitha njësitë e Tiranës. Pak ditë pasi nisi rindërtimin e tregut te lulishte “1 Maji” në Njësinë 5, bashkia po rindërton edhe tregun në Rr. “Mine Peza” në Njësinë 9, i cili do të ofrojë standarde dhe siguri më të madhe ushqimore për konsumatorët.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, vlerësoi faktin se brenda pak ditësh nisi puna për rindërtimin e një tjetër tregu modern, që do ofrojë më shumë mundësi shitje për tregtarët, por edhe siguri për qytetarët. “Më vjen shumë mirë që nismën tonë për tregje të reja dhe shërbimit me higjienë të fruta perimeve dhe gjithë produkteve ushqimore në Tiranë po e çojmë në një nivel tjetër. Nuk mjafton vetëm të kemi Pazarin e Ri, duhet të kemi gjithë rrjetin e tregjeve ku shitet nëpër lagjet tona”, u shpreh Veliaj.
Ai theksoi se Bashkia e Tiranës synon që deri në fund të vitit tjetër, përmes krijimit të këtij rrjeti tregjesh, t’i japë mundësi çdo tregtari që të ketë një vend të garantuar për shitjen e produkteve në hapësira të posaçme. “Ky është tregu ynë i tretë. Në shumë pak kohë mbaruam tregun në Njësinë 2, pas Pazarit të Ri, filluam tregun në njësinë 5, do të vijojmë me tregun në Njësinë 8. Deri në fund të vitit tjetër, do kemi përfunduar të 24 njësitë me tregje moderne, për t’u ndarë njëherë e mirë nga eksperienca 100 vjeçare e shitjes në rrugët e Tiranës. Kjo është një betejë që ende s’e kemi fituar, por jam i vendosur që ta fitojmë”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se për të luftuar këtë fenomen, përveç ndërtimit të infrastrukturës së nevojshme të tregtimit, është i nevojshëm edhe bashkëpunimi i vetë qytetarëve që të mos stimulojnë tregtinë në rrugë. “Kjo zgjidhet me dy hapa: së pari, bashkia duhet të bëjë detyrën e vet, të modernizojë tregjet, të jenë me higjienë, të mbuluara si në shi edhe në diell, të ndriçohen etj. Së dyti, qytetarët duhet të bashkëpunojnë duke refuzuar të blejnë në tokë, në trotuar, buzë kanaleve. Është mëkat që sot kemi tregje dhe ndërkohë vazhdojmë betejën me këtë fenomen”, tha Veliaj.
Ai shtoi se është e rëndësishme që gjithkush të kuptojë dhe të respektojë rregullat e jetesës në komunitet, duke mos zënë hapësirat e përbashkëta, apo trotuaret për të tregtuar produkte, në radhë të parë jashtë çdo lloj kushti higjenik. “Besoj se në një qytet me kaq shumë ngarkesë do të duhet të bashkëjetojmë dhe kjo kërkon që të respektojmë hapësirën ku jetohet, ku studiohet dhe ku shitet. Po t’i mbajmë këto të ndara, sigurisht ruajmë edhe higjienën”, u shpreh Veliaj.
Ai nënvizoi se përveç rrezikut që vjen për konsumatorët nga shitja jashtë kushteve higjienike, sjell dhe kosto shtesë për qytetin, duke filluar që nga pastërtia. “Kur shitet kudo në rrugë, qyteti pëson një ndotje të jashtëzakonshme, kudo hidhen arka, mbulohet çdo lapidar, çdo rampë për personat me aftësi të kufizuar. Kjo nuk mund të vazhdojë, ndaj edhe për të liruar qytetin, edhe për ta pasur më kollaj pastrimin, duke qenë zona të qendërzuara, do fokusohemi tek tregu”, tha krybashkiaku Veliaj.
Punimet për rehabilitimin e Tregut “Mine Peza” përfshijnë ndërhyrjen totale në këtë treg, i cili zë një sipërfaqe 400 m2 dhe ku ka mundësi tregtimi në 51 tavolina. Tregu do të mbulohet totalisht, ndërsa do të pajiset me ndriçim përkatës për çdo tezgë. Gjithashtu, do të krijohen edhe kushtet higjeno-sanitare që do t’u shërbejnë tregtarëve përgjatë përditshmërisë së tyre.
a.ç