Presidenti Ilir Meta nuk do të dekretojë kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj. Burime nga Presidenca thanë se shkak për mosdekretimin e kryetarit të ri të Akademisë janë procedurat jo të rregullta në zgjedhje, pa kandidatë alternativë.
Mosdekretimi i kreut të Akademisë së Shkencave e bën të pafunksionueshëm këtë institucion, duke e detyruar të anulojë rezultatin e zgjedhjeve dhe zhvillimin e zgjedhjeve të reja ben te ditur ‘Panorama’. Që prej zgjedhjeve, kryetari i ri nuk ka firmosur asnjë shkresë zyrtare.
Ka qenë sekretari shkencor i Akademisë, akademiku Vasil Tole, ai që ka nënshkruar në emër të institucionit. Më 4 shtator të këtij viti, Gudar Beqiraj u zgjodh kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë me 28 vota pro dhe 3 kundër.
Ndërkohë, me 27 vota pro Myzafer Korkuti u zgjodh nënkryetar i Akademisë së Shkencave. Gudar Beqiraj e ka mbajtur më herët postin e kryetarit të ASH-së, në vitet 2009-2014. Procesi zgjedhor për kryetarin e Akademisë kaloi përmes polemikave dhe debateve, ku kritikat adresoheshin për një proces të mbyllur, shkëmbim vendesh mes nënkryetarit e kryetarit dhe zgjedhje pa alternativa. Vetëm pak ditë pas zgjedhjes së tij nënkryetar, Myzafer Korkuti, 81 vjeç, dha dorëheqjen.
Kryeministri
Procesi zgjedhor u parapri nga një qëndrim i Kryeministrit Edi Rama që e cilësoi atë një farsë. Në postimin e tij në rrjetet sociale, Edi Rama paralajmëroi se “Nëse nuk reformohet, Akademia e Shkencave nuk do të marrë më asnjë qindarkë nga buxheti e do të dorëzojë godinë! Prandaj, stop farsës”.
Por pas zgjedhjes së Gudar Beqirajt, në një reagim të dytë Kryeministri tha se “Akademia zgjodhi farsën, ndaj do t’i hiqen fondet dhe ato do t’i shkojnë Universitetit për kërkimet shkencore”.
Në replikën e tij me Kryeministrin, nënkryetari i zgjedhur i Akademisë, Myzafer Korkuti, tha: “Nuk është i informuar.
Akademia është institucion i pavarur nga qeveria dhe do të ketë fonde sepse ne jemi pjesë e gjithë Projektit Ballkanit Perëndimor në fushën e kërkimit shkencor”. Por edhe pse Kryeministri Rama deklaroi se nuk do të ketë fonde për këtë Akademi Shkencash e cila duhet të reformohet, në projektbuxhetin e vitit 2018 qeveria ka parashikuar pothuajse buxhet të njëjtë. Për vitin 2017, qeveria Rama i akordoi Akademisë së Shkencave 112 milionë lekë të rinj, ndërsa për vitin 2018 ka parashikuar një fond prej 110,5 milionë lekësh të rinj.
Debatet
Akademiku Artan Fuga ishte i vetmi akademik që e kundërshtoi procesin zgjedhor duke e cilësuar atë një farsë, ndërsa u kërkoi drejtuesve të saj hapjen e debatit për një akademi të re. Ai kërkoi moszhvillimin e zgjedhjeve për kryetar dhe nënkryetar të Akademisë të Shkencave pa alternativa rivale dhe konkurrenciale mes kandidatësh. “Kjo do të ishte e turpshme për ne si Akademi e Shkencave”, u shpreh Fuga. Por, pas ndërhyrjes së Kryeministrit Rama në këto zgjedhje, debati përfshiu dhe politikën. Partia Demokratike, përmes deputetit të saj Luçiano Boçi akuzoi drejtpërdrejt Ramën për mënyrën se si është “katandisur” ky institucion.
Edhe LSI-ja, përmes kreut të deputetëve Petrit Vasili akuzoi Kryeministrin se e konceptoi debatin vetëm te godina e Akademisë dhe paratë, pa shfaqur asnjë vizion se si duhet të jetë institucioni më i rëndësishëm i shkencës në vend. Kryetarit të ri të Akademisë së Shkencave, Gudar Beqiraj, nuk i njihet zyrtarisht firma. Është sekretari shkencor i Akademisë, Vasil Tole, i cili hedh firmën në emër të Akademisë. Pak ditë më parë u nënshkrua në Tiranë Protokolli i nëntë i radhës i bashkëpunimit kërkimor-shkencor dhe artistik midis Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë për vitet 2018-2020. Protokolli u nënshkrua nga dy sekretarët shkencorë, akademik Isuf Krasniqi dhe akademiku Vasil Tole.
Protokolli për këtë periudhë dyvjeçare përfshin një gamë të gjerë temash, projektesh, botimesh, tryezash dhe konferencash të përbashkëta nga shkencat albanologjike, kulturo-historike, nga shkencat shoqërore, të natyrës dhe nga fusha e arteve.
Me protokoll parashihet të mbahen disa konferenca dhe tryeza shkencore për tema të rëndësishme shkencore dhe artistike, si dhe të shënohen përvjetorë për ngjarje të ndritshme të popullit shqiptar, si për 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, figurës së shekujve të humanizmit europian, për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 100-vjetorin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, 110-vjetorin e Kongresit të Manastirit etj., pastaj ligjërata të ndërsjella të akademikëve dhe punonjësve shkencorë për çështje të rëndësishme dhe aktuale shkencore dhe artistike, të bëhet përurimi dhe këmbimi i rregullt i literaturës dhe informatave etj.