Emisioni investigativ “BOOM” në RTV Ora News denoncoi mbrëmjen e sotme rrezikun përballë të cilit janë të ekspozuar çdo ditë banorët e kryeqytetit por jo vetëm, kafshimin nga qentë.
Nuk po flasim vetëm për ata endacakë, por edhe qentë që kanë një pronar, por që shëtisin pa maska apo qafore mbrojtëse.Veterinerët kërkojnë vëmendje të veçantë, si nga padronët e qenve të rrezikshëm si Pitbull dhe Doberman, ashtu edhe nga kalimtarët.
Nuk kanë qenë të pakta rastet që një kalimtar të sulmohet papritur nga qentë të cilët shëtisin pa maskë në rrugët e kryeqytetit. Pronarët e qenve shoqërues shpesh i lënë jo vetëm pa maska por edhe pa i lidhur, duke tmerruar qytetarët.
Në mars të vitit 2016, një 30 vjeçar qëlloi me kallashnikov një qen pitbull pasi ky i fundit dy ditë më parë kishte sulmuar të fejuarën e djalit e cila ishte shtatëzanë.
Ndërsa në shtator të këtij viti një vogëlushe 1-vjeçare ka gjetur vdekjen pasi është sulmuar për vdekje nga dy qenë pitbull të cilët gjyshi i saj i mbante në shtëpi. Vogëlushja humbi jetën si pasojë e plagëve të marra nga kafshimi.
Por këto 2 ngjarje janë vetëm maja e ajsbergut, pasi vetëm në Tiranë gjatë një viti 1800 persona i drejtohen urgjencës sepse sulmohen në mënyrë të papritur nga qentë, përfshi këtu edhe vetë personat që i mbajnë këto kafshë në shtëpi. Pasojat janë jo vetëm fizike por edhe psikologjike, me këdo që bie pre e këtyre sulmeve.
Qeni shetitje ne qytet pa maske
Vëzhgimi i BOOM: Qenë pa maska tek Liqeni dhe parku Rinia
BOOM bëri një vëzhgim tek Parku Liqenit, ku që në hyrje të tij është vendosur tabela ku thuhet se ndalohet shëtitja e qenve pa maska, por kjo tabelë nuk respektohet. Nga vëzhgimi i BOOM duket qartë se qentë e rracave të cilët konsiderohen të rrezikshëm lëvizin pa maska.
Qytetarët të rrezikuar nga qentë pa maska
E njëjta situatë është edhe tek Parku ‘Rinia’, vend i cili frekuentohet shumë nga fëmijët. Pronarët e këtyre qenve i heqin edhe rripat mbajtës, duke ekspozuar fëmijët para një rreziku i cili mund të ketë edhe pasoja fatale.
Qytetarët të rrezikuar nga qentë pa maska
Ministria e Bujqësisë thotë se Bashkitë duhet të gjobisin pronarët
Për të njohur anën ligjore, se me çfarë dokumentash duhet të pajiset pronari i një kafshe shoqëruese dhe detyrimet që ka, BOOM iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë.
Drejtori i Veterinarisë, Edi Ferro, thekson se me ligjin aktual një person që do të blejë një qen duhet të pajiset me Certifikatë Origjine të kafshës te vendi ku e blen dhe më pas ta deklarojë pranë shërbimit veterinar në Bashki.
Por të ndodhur përpara faktit që këto procedura nuk po zbatohen, ligji po rishikohet dhe së shpejti pritet të ndryshojë.
Sipas Drejtorit të Veterinarisë, Bashkia e Tiranës dhe 60 bashkitë e tjera në të gjithë vendin kanë të drejtë ti vendosin gjoba të gjithë personave që lëvizin me qentë pa maskë.
Edi Ferro: Çdo qytetar i cili do të pajiset me një kafshë është i detyruar të pajiset me certifikatën shëndetësore të kafshës. Kjo kafshë duhet të regjistrohet në subjektin e shitjes dhe subjekti i shitjes duhet të deklarojë pranë shërbimit veterinar të bashkisë. Legjislacioni parashikon qartë se ka sanksione dhe është e paligjshme që të lëvizësh me kafshën tënde në ambjente publike, parqe apo kudo qofshin. E vërteta është se në Shqipëri edhe ajo pjesë legjislative e cila ëhstë e qartë nuk është se gjen zbatim si duhet.
Ligji i shërbimit veterinar përcakton shumë qartë që të gjitha kompetencat që kanë lidhje me kafshët e shoqërimit janë atribut i shërbimit veterinar pranë bashkive. Në 61 bashki nuk janë pak por janë 350 veterinerë të cilët mund të bëjnë maksimalisht si duhet çdo shërbim që kanë në kompetencat ligjore. Ne shohim se shërbimi veterinar pranë bashkive herë pas here merret edhe ndarjen e përkrahjes sociale dhe jo me punën që i takon. Ligji ka një seri ndryshimesh. Nëse një person i cili keqtrajton kafshën e vet do të futet në vepër penale.Të gjitha kafshët e shoqërimit do të pajisen me një çip dhe do të kemi të gjitha të dhënat se kush është pronari.
E thënë më thjesht, kemi një ligj që nuk po zbatohet ndërkohë që paralelisht po bëjmë një tjetër.
Policia bashkiake: Ne vetëm këshillojmë, nuk gjobisim
BOOM mori një reagim edhe nga Bashkia e Tiranës. Ky institucion, jashtë kamerës, u shpreh se nuk ka të drejtë t’u vendosë gjoba personave që lëvizin me qen pa maska, por vetëm t’i këshillojë.
Gazetarja- A ka penalitete për personat që lëvizin qentë pa maska?
Policja Bashkiake- Ne mundohemi që ti këshillojmë.
Gazetarja- Gjoba nuk ka?
Policja Bashkiake-Gjoba, ne momentalisht nuk i kemi.
Gazetarja- Pashë shumë qen pa maska, janë shumë problem për njerëzit.
Policja Bashkiake-E kuptoj, e di që është pak vështirë me problemin e qenve. Jemi munduar që ta menaxhojmë situatën, ne këtë kemi për detyrë.
Gazetarja- Ju i kontrolloni kur vijnë qentë me maska ose pa maska?
Polici Bashkiak- Është një grup i posaçëm në terren.
Gazetarja- Po ne na shkëlyen qentë aty, të gjithë qentë pa maska.
Polici Bashkiak- Polica janë 5 ose 6, hyrje janë me mijëra. Ne mundohemi, a e kupton?
Gazetarja- Na shkëlyen qentë.
Polici Bashkiak- E di , ke shumë të drejtë. Ne e dime këtë problematikë, por duhet që vetë njerëzit të ndërgjegjësohen.Është problematikë.
Gazetarja- Më llahtarisi.
Polici Bashkiak- E di, ske faj.Kanë kafshuar kolegët tanë qentë,jo më qytetarët. Vete për ta kapur të hidhet qeni.
Në QSUT çdo ditë paraqiten 3-5 raste me kafshime nga qentë
Mosmenaxhimi i kësaj situate i është faturuar kalimtarëve të cilët janë të ekspozuar para rrezikut në rrugë.
Mjeku infeksionist pranë QSUT shprehet se çdo ditë vetëm në Tiranë 3 deri ne 5 persona shkojnë në spital pasi sulmohen nga qentë. Por ka dhe raste kur qeni sulmon të zotin, duke i shkaktuar plagë të rënda në trup.
Kosto financiare nga buxheti i shtetit është 100 mijë lekë të vjetra në ditë, 3 milion në muaj dhe mbi 36 milion lekë në një vit.
Gentian Stroni: Ne në ditë mund të kemi 3,4-5 persona të cilët janë mesatarisht të kafshuar nga qeni. Mund të jenë persona të cilët kanë drejtëpërdrejtë pronësi tek qeni ose mund të jenë persona kalimtarë. Në spitalin tonë vinë përgjithësisht nga Tirana dhe vinë tek ne vetëm për faktin se duan të bëjnë ndihmën e parë që është bërja e tetanozit. Vetëm për serumin anti-tetanik, kosto në farmaci është 2000-2200 lekë të reja, për pesë veta në ditë i bie gati 10 mijë lekë. Imagjinoni sa mund të shkojë kjo për një kosto mujore apo vjetore. Kam pasur një rast që nuk ka ardhur tek ne por unë i kam shkuar në shtëpi, ka qenë një person i cili ishte pronar i një pitbulli dhe kishte një kafshim në pjesën e shpatullës që për mua ishte e tmerrshme, duke e parë atë lloj kafshimi që i kishte bërë ky lloj qeni. Kur këto rraca të veçanta sillen në këtë lloj mënyrë edhe ndaj të zotit, imagjinoni se çfarë mund të bëjnë me një person të panjohur.
Disa këshilla që duhet ti dini për qentë pitbull dhe doberman
BOOM kontaktoi edhe me një veteriner për t’u informuar se në çfarë kushtesh duhet të mbahet një qen dhe cilat janë arsyet e agresivitetit.
Martin Toro: Një qen në rradhë të parë do kushte, po nuk i pate kushtet të mbash një qen, hapësirën e duhur, kohën e duhur, nuk duhet marrë inisiativa të mbash një qen në shtëpi. Ndodhin pasojat pastaj si puna e agresivitetit. Për të mbajtur të paktën pitbullin duhet të kemi kohën e përshtatshme sepse ata duan dashuri, janë qenë që duan shumë afrimitet dhe raste raste duhet dhe pak disiplinë por jo dhunë apo gjëra të ndryshme siç i kemi ne shqiptarët që bëhemi pak të dhunshëm ndonjëherë. Për qentë pitbull dhe doberman e mira ëhstë të kemi një oborr, një sipërfaqe që qenushët të lëvizin gjatë gjithë kohës. Arsyet që ju shkaktojnë stres qenve fillojnë nga keqtrajtimi, kequshqimi, neglizhenca dhe mungesa e dashurisë ndaj tyre.Çiftet e reja që kanë fëmijë të vegjël fillojnë dhe ua shprehin më shumë dashurinë fëmijëve dhe neglizhohen, qenushët janë shumë të ndjeshëm, sidomos pitbulli është një nga rracat që bëhet shumë xheloz. Specifikë tjetër e pitbullëve është se nëse nuk i nxjerr dy ditë rresht jashtë, ai fillon dhe bëhet agresiv, ‘tërbohet’./a.m.