Ish- kryeministri Sali Berisha ka komentuar aktualitetin politik dhe kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda drejtuar Kuvendit për heqjen e mandatit dhe arrestimin e ish ministrit Saimir Tahiri si i implikuar me Moisi Habiljan, ky i fundit kushëri i ish ministrit të Brendshëm dhe i arrestuar në Itali për trafik drogë.
I ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ në News24 të gazetares Eni Vasili, ish kryeministri tha se ai di klane që po festojnë për goditjen e ish ministrit të Brendshëm.
“Dosja italiane ka një rregull. Shtetet mike para se ta plasin në erë vijnë dhe të thonë që na ka dalë ky problem. Antimafia italiane është institucioni më i pavarur. Dikush nga ministria i ka thënë Ramës që kemi këtë problem. Unë di klane që po festojnë për goditjen e Tahirit. Rama dorëzoi dosjen për një zotim që kishte marrë, pra që ne nuk do pengojmë drejtësinë.
Pra Rama e nisi me median dhe dosja iu dha edhe opozitës, por jo nga Rama. Po në këtë linjë ai nxori të parin Fatmir Xhafën që tha se hetimi italian nuk ka lidhje me ne. Ata i bënë të qartë që drejtësia do veprojë. Të mërkurën ishte një betejë e egër për të sabotuar që Tahiri të mos shkonte në emisionin ‘Opinion’”- tha Berisha.