Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të veriut të Kosovës, do të bëhet javën e ardhshme, ka konfirmuar Zyra e Presidentit të Kosovës.Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, thotë për Radion Evropa e Lirë se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve në veri të Kosovës, do të bëhet ditën e martë, të javës që vjen.
“Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, nga e Presidentit të Republikës së Kosovës, do të bëhet të martën, më 24 tetor 2017.
Është një nga masat tjera afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive, të të gjitha komuniteteve në Kosovë, në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore”.
Me këtë dekretim, sipas kësaj zyre, do të bëhet edhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes për Drejtësi, që ishte arritur në Bruksel, me 10 shkurt të vitit 2015, në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me lehtësimin e Bashkimit Evropian.
Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë të veriut të Kosovës, ishte paraparë të ndodhte më 17 tetor, por me kërkesën e Serbisë, ishte shtyrë. Kjo shtyrje ngjalli reagime të ashpra të institucioneve të Kosovës dhe të zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është shprehur i revoltuar me reagimin e autoriteteve të Kosovë dhe të Bashkimit Evropian.
“Janë bërë vetëm dy ditë që ne nuk kemi zbatuar diçka për të cilën jemi marrë vesh dhe të gjithë nga opinioni ndërkombëtar dhe vendor janë hedhur mbi ne, thuajse kush e di se çfarë ka ndodhur. Por, sot janë bërë 1 mijë e 643 ditë prej kur nuk është zbatuar në vepër marrëveshja e parë themelore e Brukselit”, ka thënë Vuçiq, duke iu referuar marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Por, njohësi serb i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, thotë për Radion Evropa e Lirë se shfrytëzimi si shkas i vonimit të formimit të Asociacionit, për të vonuar edhe integrimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin gjyqësor të Kosovës, është përgjigje pa efekt.
“Në këtë mënyrë, vetëm se po i jepet palës tjetër alibi që të mos i zbatojë procedurat. Kjo nuk ka kurrfarë efekti, përveç tentimit që të tregohen muskujt”, tha Nojkiq.
Edhe Ehat Miftari nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se vonesat në zbatimin e marrëveshjeve janë vetëm tentim i Serbisë që të tregojë muskujt.
“Serbia, në radhë të parë, është duke punuar që sa të ketë fuqi dhe mundësi, ta prolongojë shtrirjen e sovranitetit të Kosovës në pjesën veriore të saj. Por, në anën tjetër, po ashtu, ta tregojë në njëfarë mënyre, fuqinë që ka në raport me bashkimin evropian dhe Kosovën, lidhur me bisedimet në Bruksel”.
Por, a do të paraqesë pengesë për dekretimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga veriut Kosovës, betimi i tyre?
Këshilltari i presidentit, Arifaj, thotë se betimi do të zbatohet sipas procedurave ligjore.
“Çdo gjë do të bëhet normalisht, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës”, tha Arifaj.
Nojkiq, nuk pret probleme lidhur me betimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë. Sipas tij, situata të ngjashme ka pasur edhe më herët, përgatiti Koha. (b.an)