Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas deklaratës së Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë në lidhje me ligjin për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare.
Sipas Ministrisë Greqia ka përdorur një gjuhë provkuese dhe ndërhyrja e tyre në një çështje të tillë ishte e paprecedentë. Duke shtuar më tej se deklarata e tyre përbën një deformim të realitetit e cenim të bashkëjetesës me pakicat në Shqipëri.
Deklarata
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë dëshiron të shprehë indinjatën e thellë ndaj gjuhës provokuese dhe ndërhyrjes së paprecedentë që karakterizonte deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, datë 19 tetor 2017.
Përfshirja në debatin e brendshëm politik në Shqipëri dhe referimi i çështjeve të cilat janë në proces zbardhjeje nga organet e drejtësisë, përbën një shkelje të praktikës diplomatike të frymës së fqinjësisë së mirë dhe marrëdhënieve strategjike mes vendeve tona.
Për më tepër, lidhja që kjo deklaratë synon të vendosë mes Ligjit për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë të sapomiratuar në Kuvend dhe Planit Rregullues të Himarës e fshatrave të tjerë përreth, në kuadër të Rilindjes Urbane, përbën një deformim të realitetit dhe cënim të frymës së bashkëjetesës e bashkëpunimit me pakicat në Republikën e Shqipërisë. Qeveria shqiptare ka ofruar regjistrimin dhe kompensimin e pronës për banorët që preken nga zbatimi i planit, duke ofruar disponibilitet të plotë sipas legjislacionit dhe praktikës më të mirë ndërkombëtare.
Dëshirojmë të theksojmë se Ligji i ri për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë garanton të drejtat e anëtarëve të pakicave, individualisht dhe në grup, kudo ku ato jetojnë, bazuar në kriteret dhe frymën e Konventës Kuadër për Pakicat Kombëtare të Këshillit të Evropës. Çdo referencë tjetër etno-nacionaliste që evokon deklarata e sipërcituar, bie ndesh me frymën dhe praktikat ligjore evropiane të mbrojtjes së pakicave kombëtare.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, rishpreh angazhimin e saj për të vazhduar trajtimin e çështjeve të hapura mes dy vendeve tona, në përputhje me frymën evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare, me gjithë cënimin e klimës së besimit dhe bashkëpunimit që shkaktojnë këto deklarata.