Nga Armando Meta/
Konstitucionalisti, Sokol Hazizaj, në një prononcim për javanews.al ngre pikëpyetje serioze, lidhur me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e deputetit, Sajmir Tahiri, pasi një kërkesë e tillë në formën që është paraqitur nga Prokurorisa nuk mbështetet mbi fakte, por thjeshtë mbi supozime dhe thëni nga jashtë organit të hetimit. Sipas tij, “kërkesa e Prokurorisë për marrjen e autorizimit është e cedueshme deri në paligjshmëri”.
“Në kuptimin formalo- juridik, duke qenë se Prokuroria për Krime të Rënda ka patur si lëndë trafikimin dhe korrupsionin si vepra penale, duket sikur nuk ka asnjë problem juridik me nismën e procedimit dhe kërkesën për marrjen e autorizimit për vijimin e procedimit penal për deputetin në fjalë. Por sa i përket procedimit e vërteta është krejt ndryshe. Kjo, sepse sot në kushtet e një dispozite tranzitore në ligjin procedural penal për vijimin e punës së Prokurorisë dhe Gjykatës për Krime të Rënda, kërkesa e këtij organi procedural për marrjen e autorizimit është e cedueshme deri në paligjshmëri”, deklaroi Hazizaj për javanews.al.
Sipas tij, beteja më tepër është politike se sa ligjore, pasi fakti që diskutimi ndaj fajesise apo pafajsisë ndaj depuetetit Tahiri ka marrë forma thëniesh dhe supozimesh nga jashtë organeve të hetimit dhe gjykimit, ka bërë që çështja të marre vendimin e fajësisë jo mbi bazën e provave. “Tani ngelet vetëm “ekzekutimi i vendimit”, duke devijuar totalisht funksionet kushtetuese dhe ligjore në drejtim të populizmit institucional ose atij revolucionar që karakerizon politikën e sotme”, shprehet Hazizaj.
Konsitucionalisti nënvizon se Kuvendi i Shqiperise nuk ka dhe nuk ka pse të njihet në menyre shteruese me provat ndaj personit që kërkohet autorizim për vijimin e procedimit penal, sepse Kuvendi nuk jep apo vendos për fajësin. “Autoriteti i Kuvendit shkon deri te pëlqimi për vijimin e procedimit, sepse në të vërtetë nuk ka autoritetin e gjykatës. Këtu mbaron çdo diskutim mbi fajësinë apo të kundërtën ndaj deputetit. Por aty janë kthyer të gjithë gjykatës”, ironizon Hazizaj.