DEKLARATË E ANËTARËVE TË SHUMICËS PARLAMENTARE
Ne anëtarët e shumicës parlamentare në Komisionin e Integrimit Evropian, duke marrë shkas nga sjellja dhe gjuha ofenduese e joparlamentare në Kuvend e kryetarit të këtij komisioni, zotit Genc Pollo, në seancën dëgjimore të datës 18 tetor 2017 me ministrin e Europës dhe Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati, deklarojmë sa më poshtë:
Mbledhja e komisionit të Integrimit Evropian, planifikuar për dëgjesën me ministrin e Europës dhe Punëve të Jashtme, filloi me shkelje të Rregullores së Kuvendit, sepse nuk u miratua procesverbali i mbledhjes së kaluar të komisionit. Gjithashtu, nga ana e kryetarit të komisionit u tejkalua rendi i ditës së mbledhjes, lidhur me çështjen për të cilën ishte thirrur dëgjesa. Gjithsesi, duke marrë edhe mirëkuptimin e ministrit, komisioni ra dakord për të vazhduar seancën dëgjimore.
Kryetari i komisionit të Integrimit Evropian, në kapërcim të kompetencave që i jep Rregullorja e Kuvendit, për drejtimin dhe moderimin e mbledhjes së komisionit, shpërdoroi vullnetin dhe besimin e mazhorancës dhe të ministrit për t’iu përgjigjur me detaje pyetjeve për procesin e integrimit evropian.
Situata u bë e posaçërisht e papranueshme në momentin kur kryetari i komisionit cënoi dinjitetin e zotit Ditmir Bushati, duke përdorur fjalë tërësisht joetike si halabak e rrugaç. Këto fyerje janë të papranueshme për këdo, por në rastin kur këto i drejtohen Ministrit për Evropën dhe punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, dëmtojnë edhe imazhin e shtetit shqiptar.
Ne, anëtarët e mazhorancës në komisionin e Integrimit evropian, dënojmë përdorimin e gjuhës së papërshtatshme, joparlamentare dhe ofenduese ndaj cilitdo, qoftë anëtar i komisionit apo i ftuar, që shpërdoron detyrën dhe përpiqet të dëmtojë veprimtarinë e Kuvendit në komisione apo seancë plenare.
Për sa më sipër, duke qenë se Rregullorja e Kuvendit, ka boshllëk normativ në kreun “Rregulli dhe sjellja në Kuvend” dhe nuk parashikon rregulla sjelljeje të posaçme gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve parlamentare, kërkojmë nga organet përgjegjëse të Kuvendit të marrin masa për të plotësuar sa më parë boshllëkun që ekziston për këtë çështje.
ma.me