Pas humbjes në zgjedhjet e 25 Qershorit, opozita rrezikon të humbasë edhe në zgjedhjet e ardhshme. Madje, edhe të dobësohet si faktor politik. Kështu u shpreh mbrëmjen e sotme Edi Rama gjatë “Komunikimit Javor” në rrjetin Facebook.
Rama e quajti fitoren e socialistëve si shembullore ndërsa u ndal te lufta kundër krimit dhe drogës. Sipas kryeministrit, qeveria do t’i ndjekë kriminelët këmba-këmbës. Ai u shpreh se në bashkëpunim me agjentët amerikanë dhe europianë, qeveria “do t’i japë fund të fortëve që livadhisin fal gjyqtarëve dhe policëve të korruptuar”.
Rama u shpreh se një nga arritjet e mëdha të kësaj mazhorance është edhe mbyllja e ‘bankës së zezë’ të Lazaratit.
“Opozita ka zgjedhur të kriminalizojë qeverinë përmes propagandës, me qëllim që të shmanget nga përgjegjësia e saj. Po përpiqet të mbjellë pasiguri sociale. Ne nuk e zgjedhim dot opozitën dhe as se çfarë qëndrimesh duhet të mbajë ajo. Ne jemi zgjedhur për të qeverisur vendin dhe kemi zgjedhur rrugën e dialogut dhe bashkëpunimit, por vetëm me vullnetin e një pale kjo nuk realizohet” – tha Rama.
Në “Komunikimin Javor” kreu i ekzekutivit u shpreh se mazhoranca do përpiqet të krijojë kushtet për këtë dialog me opozitën. Sipas tij, qytetarët duan mirëqenie dhe jo sherre politike. /JavaNews/b.d