Nga LIDA MIRAJ/
Prerjet monetare kanë një histori mjaft të hershme. Monedhat e para, si copëza të vogla metali të fortë, u importuan në Greqinë arkaike nga Lydia dhe u përdorën gjërësisht në tregëti në gjithë botën antike.
Drachmet e Stateret e qytet-shteteve, ose të Polis-eve, ishin të shumëllojshme: Corinthi kishte në faqe të monedhës kokën e Athinasë me helmetë Korintike dhe në shpinë të monedhës, kishte ‘Pegasos’, kalin fluturues, ndën të cilin vendosej legjenda e qytetit, e simbolizuar nga një koppa (Q) arkaike; Athina kishte në faqe përsëri të monedhës kokën e Athinasë, por pa helmetë, dhe në shpine të monedhës bufin si edhe legjendën e qytetit; Korkyra kishte në faqe të monedhës lopën me viçin duke pirë dhe në shpinë të monedhës kishte një katror të stilizuar me motive floreale, të ashtuquajtur ‘Kopështet e Alkinout’ si edhe legjendën me emrin e qytetit e kështu me rradhë.
Qytetet tona të lashta të Adriatikut si Epidamni ose Dyrrahu dhe Apollonia në prerjet e tyre të para monetare huazuan simbolet e monedhave të qyteteve ‘mëmë’, por vendosën mbi to legjendat përkatëse. Epidamni huazoi prerjet korintike, por vendosi mbi to legjendën e qytetit, simbolizuar me një epsilonin arkaik , që lidhej me inicialin e emrit të qytetit, dhe më vonë, mbas Luftës së Peloponezit në fund te shekullit të pestë p. Kr., huazoi prerjet e Korkyrës me lopë e viç dhe mbi to vendosi legjendën ΔΥΡ ose ΔΥΡΡΑ, që lidhet me emrin e mëvonshëm te qytetit, Dyrrhachion.
Apollonia gjithashtu vendosi legjenën e saj ΑΠΟΛ mbi prerjet e Korkyrës. Më pas jo vetëm këto qytete, por edhe të tjerat qytete të Ilirisë, si Damastion, Bylis, Dimali, Antipatrea, Amantia, Olympe, qyteti i zbuluar ne Zgërdhesh, që shpesh nga arkeologet, lidhet me emrin Albanopolis, Lisi, Skodra, Buthroti, Phoinike, Antigonea, etj. përdorën një simbolikë mjaft të gjërë në prerjet e tyre monetare.
Nga Mbretëria Ilire, i pari Mbret që preu monedha, është Monuni (286/285 – 270 p. Kr.). Sipas profesorëve të nderuar të arkeologjisë shqiptare, Hasan Ceka, Selim Islami e Neritan Ceka, njihen 75 copë monedha të mbretit Monun: 43 prej tyre ruhen në muzetë e Shqipërisë, kurse 32 në kabinetet numismatike te Europës. Tridrahma e Monunit është e prerë në argjënd në monedhat prototipe dyrrahase, me lopë e viç dhe mbi to shtohet emri i mbretit BACIΛEΩC MoNoYNIoY, krahas legjendës së qytetit ΔΥΡΡA ose ΔΥ/Ρ, Δ/ΥΡ ose Δ/Υ.
Pasardhësi i Mbretit Ilir, Monunit, dhe i fundit prej dinastisë së Glaukisë, ishte mbreti Mytil, i cili preu gjithashtu monedha në punishtet e Dyrrahut, duke vendosur jo vetëm emrin, por edhe titullin e tij: BACIΛEΩC MYTIΛOY. Kjo monedhë është e rrallë dhe prej saj njihen vetëm 3 ekzemplarë: njeri nga të cilët ruhet në Kabinetin Numismatik në Muzeun Arkeologjik të Tiranës, e dy të tjerët, njeri në Zagreb e tjetri në Bolonja. Mytili veproi ndryshe nga paraardhësi i tij, sepse nuk i ruajti por i hoqi fare inicialet ose legjendën e qytetit.
Mbreti i fundit i Mbretërisë Ilire ishte Genti, i cili erdhi në fuqi pas Pleuratit dhe, sipas burimeve antike. Ardhja e tij në fron datohet në vitin 181 para Krishtit. Sundimi i mbretit Gent zgjati deri në vitin 168 para Krishtit, vit në të cilin përfunduan edhe 3 Luftrat e gjata Iliro-Romake, të cilat kishin nisur në vitin 229 p. Kr., vit kur në krye të Mbretërisë Ilire ishte Teuta. Pak ditë pas rënies së Mbretërisë Ilire u nënshtruan dhe Maqedonia e Epiri, për pasojë Genti e Perseu u dorëzuan dhe bashkë me familjet e tyre, me plaçkë e robër të shumtë lufte, u dërguan në Romë.
Një nga reformat e para dhe mjaft të rëndësishme të Mbretit Gent ishte politika monetare. Për këtë reformë ai u mbështet kryesisht në prerjet e dy qyteteve: Skodra ose Skodrinon (ΣΚΟΔΡΙΝΩΝ) dhe Lisi ose Lissitan (ΛΙΣΣΙ-ΤΑΝ). Ne prerjet e qytetit të Shkodrës ai vuri zëvëndësoi portretin e Zeusit, duke ruajtur ne shpinë anijen Ilire, por hoqi legjendën e qytetit dhe e zëvëndësoi me titullin e vet BACIΛEΩC ΓΕΝΘΙΟΥ (Mbreti Gent). Në portretin e vënë në këto prerje monetare, ai mban në kokë një kausia, si element të veshjes mbretërore, e cila në disa raste zbukurohet me motive spirali.
Në ndonjë ekzemplar ai ka të veshur një kemishë me jakë të mbyllur e të zbukuruar në qafë me një motiv në formë zigzagu, kurse mbi supe ka hedhur një mantel (klamide) me grykë të hapur këndore. Fillimisht Genti, në prerjet e tij monetare, i njohu Lisit, Labeatëve e Daorsëve të drejtën e siglimit të monedhave të tyre me emrin e bashkësisë qytetare apo fisnore.
Por më vonë mbreti i ndaloi Lisit prerjen e monedhave autonome, duke krijuar një sistem monetar të përbashkët për të dy qytetet e veriut. Rrezja e qarkullimit të monedhave të Gentit u shtri brënda e jashtë Mbretërisë Ilire: në jug deri në Dyrrah e Apolloni dhe në veri deri ne Lis, duke depërtuar edhe në krahinat e brendëshme malore. Sipas burimeve antike e kryesisht nga historiani romak Tit Livi, Genti me anë të reformës monetare arriti të forcojë shumë financat, aq sa thesari mbretëror që u kap nga romakët kishte një shumë të konsiderueshme monetare.
E bëra këtë hyrje, paksa të gjatë, për t’u ndalur në prerjet e kartmonedhave nga Banka e Shqipërisë dhe kryesisht në prerjen e kartmonedhës 2000 Lekë, prerje që ka dalë në qarkullim në vitin 2007 duke pas më parë edhe kartmonedhat e tjera 5000 Leke e 1000 Leke, prerje të vitit 1996 dhe 500 Lekë e 200 Lekë, prerje të vitit 2001.
Kartmonedhat 200 Lekë, 500 Lekë, 1000 Lekë, e 5000 Lekë kanë të përdorur në simbolikën e tyre tema personazhesh historikë, që datohen në periudha të ndryshme: Skënderbeu, Hero Kombëtar, i shekullit XV; Pjetër Bogdani, i shekullit XVII; Naim Frashëri, i shekullit XIX e fillim të shekullit XX dhe Ismail Qemali, i shekullit të XX.
Kartmonedha DYQIND LEKË, prerje e vitit 2001, ka në faqe portretin e Naim Frashërit dhe në shpinë ka Shtëpinë e familjes Frashëri, në Frashër të Përmetit si edhe thënien e shkëputur nga një poezi e Naim Frashërit: Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin Shqipëtar, ndërsa poshtë citatit është vendosur një penë shkrimi.
Kartmonedha PESËQIND LEKË, prerje e vitit 2001, ka në faqe portretin e Ismail Qemalit e në shpinë ka Shtëpinë ku u shpall Pavarësia në Vlorë, në 28 Nëntor të vitit 1912.
Kartmonedha NJËMIJË LEKË, prerje e vitit 1996, ka në faqe portretin e Pjetër Bogdanit e në shpinë Kishën.
Kartmonedha PESËMIJË LEKË, prerje e vitit 1996, ka në faqe portretin e Skënderbeut dhe një mburojë e shpatë të stilizuar ndërsa në shpinë ka pamjen e Kalasë së Krujës dhe në miniaturë Skënderbeun mbi kalë si dhe përkrenaren e tij.
Në kartmonedhat DYMIJË LEKË, të prera në vitin 2007, duket qartë që është kërkuar përsëri përdorimi i simbolikës historike, por në këtë rast është tentuar që të shkohet më herët në kohë, duke arritur deri në periudhën e fundit të Perandorisë Ilire, që përkon me mbretin Gent.
Në faqe të kartmonedhës DYMIJË LEKË është Portreti i Mbretit Gent, me kausinë në kokë, portret mjaft i ngjashëm me atë të monedhave që u prenë nga ai vetë, gjatë mbretërimit të tij. Në kartmonedhën DYMIJË LEKË, prerje e vitit 2007, portretit te Gentit, ose më saktë rreth qafës është shtuar një degë me motive floreale. Në kausinë që ka mbi kokë, gjithashtu ka të shtuar vizatimin e një kurore me gjethe dushku. Me gërma të vogla, anash portretit, është bërë shënimi: MBRETI GENT 181-167 p.e.s. Në një lloj sfondi, si në hije, prapa portretit të tij, është vendosur një helmetë ilire.
Në sfond gjithashtu ka foto në miniaturë, të 3 monedhave me portretin e Mbretit Gent, të prera nga ai vetë. Në shpinë të kartmonedhës është një foto me një pamje nga Teatri i Butrintit dhe ndën të është shënimi: AMFITEATRI I BUTRINTIT. Në sfond duket nje fragment i anijes ilire e ndërmjet Anijes së skematizuar e Teatrit të Butrintit vizatohen 2 zymbyla të stilizuar, me tonalitete të ndryshme ngjyrash e hijezimi.
Duke qenë se kjo kartmonedhë ka në simbolikën e saj elemente arkeologjike, domethënëse të historisë sonë të lashtë, do të doja që të diskutoja për disa detaje fare të pasakta që ajo paraqet.
Në kartmonedhë shkruhet:
1. MBRETI GENT, 181 -167 p.e.s.
• Termi ‘p.e.s.’ përdorej në vendin tonë gjatë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar, kur ndalohej të përdorej çdo lloj terminologjie fetare. Terminologjia p.e.s. (para erës sonë) ose edhe e.s. (erës sonë) ishte kryesisht inventim i viteve të komunizmit, pasojë e luftës kundër fesë që ngriti ai regjim, dhe vazhdimi i përdorimit të kësaj terminologjie në ditët tona është vetëm një reminishence e dobët e asaj kohe.
• Mbreti Gent u dorëzua dhe u zu rob nga romakët në vitin 168 para Krishtit e aspak në vitin 167 siç shënohet në kartmonedhën në fjalë. Jo vetëm në burimet e lashta historike, jo vetëm ne historiografi, por edhe në tekstet e shkollave është gjithnjë i shënuar viti 168, si vit i rënies së Mbretit Gent dhe i vetë Mbretërise Ilire, vit i përfundimit të luftrave Iliro-Romake.
• Nuk po ndalem në atë që kurora me gjethe dushku e vizatuar mbi kausinë e Mbretit Gent nuk ka asnjë lidhje me ikonografinë e prerjes së Gentit e as me vetë Gentin e po aq edhe dega me gjethe ose motive floreale që i vihet rreth qafës.
2. AMFITEATRI I BUTRINTIT, shënuar poshtë fotos që paraqet një pamje të plotë të Teatrit të Butrintit
• Emërtimi ose tipologjia arkitekturore TEATËR dhe AMFITEATËR i përgjigjet dy tipeve të veçanta arkitekturore, konceptuale, ndërtimore e funksionale, tipe që jane komplet të ndryshëm nga njeri tjetri.
Teatri me etimologji të emrit nga ‘theatron’, që do të thotë ‘vend për të parë’, është ndërtim gjysëm rrethor, me origjinë të hershme, në Greqinë e Lashtë e teatrot ishin vende ku shfaqeshin tragjeditë e komeditë. Aty bëheshin festivalet e Dionisit, perëndisë Greke të pjellorisë e të verës. Më vonë edhe Romakët ndërtuan teatro, që ndonëse të ngjashëm në formë me teatrin grek, patën disa ndryshime në strukturën e shkallares, në një zhvillim më të lartë e me madhështor në përputhje me statusin e Perandorisë romake.
U rrit lartësia e vendeve të uljes e u ndryshua skena. Teatrot Romake nuk u ndërtuan më të mbështetur në pjerrësinë e kodrës, por shkallarja e tyre ose cavea u mbështet mbi një sistem muresh konstruktive. Por gjithsesi Teatrot antike të ndërtuar, si në periudhën Greke ashtu dhe në periudhën Romake, kanë për baz konceptin e një shkallare gjysëm rrethore dhe në mes kishin orkestrën ose skenën, ku bëheshin shfaqje ose festa të ndryshme.
Në periudhën Romake Teatrot ekzistues të mëparshëm, të trashëguar nga periudha Greke u ristrukturuan, në përputhje me menyrën e re të konceptimit ose të funksionit të teatrit. Këtë transformim e pësoi edhe teatri i Butrintit, në të cilin dallohen qartë fazat e ndryshme të ndërtimit. Por, që nga fillimi kur u ndërtua, në shek III p. Kr, apo më vonë kur u ristrukturua, përsëri mbas disa shekujsh, në shek I –II m. Kr., dhe sot e gjithë ditën është TEATËR, është quajtur TEATËR dhe vazhdon të jetë e të quhet TEATËR dhe për pasojë është vetëm TEATËR.
• AMFITEATRI është ndërtim që i takon periudhës së fundit të Republikëes e fillii të Perandorisë Romake dhe vjen nga fjala ‘amphi’, që do të thotë ‘rreth’ ose ‘nga dy anë’ dhe ‘theatron’. Amfiteatri ka formë eliptike, të cilën e huazuan shumë më vonë stadiumet e kohëve moderne. Amfiteatrot u ndërtuan në qytete të ndryshme ku shtrihej Perandoria Romake dhe në to zhvilloheshin kryesisht lojrat me gladiatorë (ludii gladiatorii), lojra të cilat u përhapën shumë në vitet e fundit të Republikës Romake, por që arritën kulmin e tyre gjatë Perandorisë, pa përmendur këtu luftimet me kafshë të egra (venationes) apo me anije (naumachia).
Në vendin tonë është zbuluar amfiteatri i Durrësit, që është edhe një nga amfiteatrot e mëdhenj të botës antike.
Ndryshimi ndërmjet Teatrit e Amfiteatrit është jo i vogël, është një ndryshim konceptual, koncept që është i dukshem si në formë ashtu edhe në permbajtje. Të vendosësh shënimin AMFITEATRI I BUTRINTIT në vend të TEATRI I BUTRINTIT, është injorancë dhe për hir të së vërtetës, një injorancë jo e vogël.
• Nuk po ndalem në atë që Teatri i Butrintit nuk ka asnjë lidhje direkte me Mbretin Gent, i cili selinë e tij mbretërore e pati në Shkodër, dhe prerjet e veta monetare i bëri mbi monedhat e qyteteve veriore si Skodra e Lisi, duke zëvëndësuar vetëm legjendat e vjetra të dy qyteteve ΣΚΟΔΡEINΩN e ΛIΣΣITAN me emrin e tij. Gjithashtu Teatri i Butrintit nuk ka asnje lidhje direkte me vizatimin e anijes liburne ilire, ndonëse simbolika e kësaj anije gjëndet në shpinë të monedhave të prera nga vetë Mbreti Gent.
Kartmonedhat, të cilat mbajnë siglën:
BANKA E SHQIPËRISË si edhe firmat e Guvernatorit e Drejtorit të Bankës, në fakt përfaqësojnë direkt Shtetin, të cilit i përkasin. Lireta Italiane, gjithashtu në përdorim para daljes së Euros, ishte e prerë nga Banka.
Po të shohim Dollarin Amerikan, në prerjet e kartmonedhave nuk shkruhet emri i Bankës, por ai i Shtetit të cilin përfaqëson: Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe konkretisht prerja 100 dollarëshe e serisë së vitit 2003, ka në faqe portretin e Presidentit Franklin e në shpinë Godinën e Pavarësisë.
Kartmonedhat e Euros, në madhësinë 5, 10, 20, 50, 100, 200 e 500 EURO, prerë në Janar të vitit 2002, kanë në faqe siglën e Bashkimit Europian dhe në të gjitha prerjet është një Portë, ndonëse në seicilën nga to është e stileve të ndryshme arkitektonike dhe, në shpinë gjithnjë është një urë, përsëri e stileve të ndryshme në seicilën prerje, që në prerjet 5 Euro duket edhe si urë e një ujësjellësi antik (acquaduct). Gjithashtu në seicilën prej tyre është paraqitur e vizatuar harta e Europës.
Në të njejtën logjikë kartmonedhat Shqiptare 200 Lekë, 500 Lekë, 1000 Lekë e 5000 Lekë, të prera në vitin 1996 e 2001 kanë në faqe portretin e një figure historike kombëtare, si Skënderbeu, Pjetër Bogdani, Naim Frashëri e Ismail Qemali, dhe në shpinë një ndërtesë: Kishë, Kala, ose Monument Historik që janë të lidhura me seicilën figurë historike ose portret të figurës historike, që është në faqe.
Në këtë seri prerjesh përjashtim bën vetëm kartmonedha 2000 Lekë, e cila përdor një element shumë të bukur e domethënës, që është simbolika e prerjeve monetare të Gentit, Mbretit të fundit të Ilirëve, të përbërë nga portreti i tij dhe nga anija liburne. Por kësaj teme i shtohen në mynyrë shumë eklektike dekore të tjera të pakuptimta e të panevojshme, shënohet gabim data e mbarimit të mbretërimit të Gentit (167 në vend të 168), përdoret një terminologji që detyroheshim ta përdornim gjatë viteve të regjimit komunist (p.e.s. në vend të para Krishtit) dhe shënohet gabim etiketimi AMFITEATRI I BUTRINTIT, ndën fotografinë me pamjen e Teatrit të Butrintit.
Nuk është aspak serioze që një Institucion i rëndësishëm, përfaqësues i Shtetit, siç është Banka e Shqipërisë, brenda një kartmonedhe, të prerë në vitin e shtatë te mijëvjeçarit të tretë, të prezantojë një prerje me kaq shumë gabime.
Duke përfunduar dëshiroj të them se:
Referencat historike kur përdoren, duhen parë me shumë kujdes. Ato ose vihen të sakta ose nuk vihen fare.
U detyrova të bëj këto observime, të cilat sinqerisht nuk i kisha vënë re më parë derisa një femijë i vogël më kërkoi t’i tregoja diçka rreth Mbretit Gent dhe ndërsa më pyeste mbante në dorë kartmonedhën 2000 Lekë. Bile lidhur me etiketimin: Mbreti Gent 181-167 p.e.s., fëmija ishte shumë i konfuzuar, sepse i lidhte vitet e shënuara në etiketim, mbas emrit të Gentit, si vite të lindjes e vdekjes së Mbretit Gent dhe jo si vite të mbretërimit të tij.
Prandaj dhe ishte bërë shumë kurioz, sepse i dukej shumë e habitshme që Mbreti Gent të kishte jetuar vetëm deri në moshën 14 vjeç.
Pas kësaj u detyrova për ta parë me kujdes kartmonedhën dhe vendosa të shkruaj sa sipër, për të sqaruar jo vetëm atë femijë inteligjent, por edhe femijë të tjerë kureshtarë apo edhe të rritur kureshtarë ose jo, si edhe per të kritikuar mungesën e seriozitetit, mungesën e profesionalizmit apo amatorizmin e paraqitur në simbolikën e kësaj kartmonedhe të Shtetit Shqiptar ose më saktë të Bankës së Shtetit Shqiptar.