Lukaku kërkon të thyejë rekordin e Ronaldos prej 31 golave në Premierligë gjatë një sezoni.
Në sezonin 2007/08, Cristiano Ronaldo ka arritur t’i shënojë 31 gola për Manchester Unitedin në Premierligë, më shumë se çdo lojtarë tjetër në histori të “Djajve të Kuq”. Këtë rekord tani do të tentojë të thyejë sulmuesi i ri, Romelu Lukaku, që u transferua gjatë verës nga Evertoni.
Belgu ka shënuar shtatë gola në shtatë paraqitje në Premierligë, ndërsa regjistron 11 finalizime në 10 ndeshje në total – statistika këto që tregojnë qartë se e pret një sezon i madh 24 vjeçarin.
Se Lukaku mund ta thyejë rekordin e Cristianos, e thotë edhe legjenda e “Djajve të Kuq”, Mikael Silvestre.“Romelu Lukaku mund të thyejë rekordin e Cristiano Ronaldos të golave (31) në një sezon në Premier League”, ka theksuar ai.
Mbetet të shihet të shtunën nëse Lukaku do të vazhdojë me ecurinë pozitive të finalizimeve kur Manchester United të takohet me Liverpoolin në kuadër të xhiros së tetë në Premierligë, përgatiti ”Gazeta Express”. (b.an)