Nga Armando Meta/
Projekti i qeverisë për trë shtrirë TVSH në gjithë segmentet e bizneseve, pritet të ketë edhe kosto shtesë për bizneset e vogla, të cilat duhet të përpilojnë dokumentacionin fiskal sipas kërkesave që ka ligji për TVSH. Pavarësisht se qeveria deklaron se nuk do të ketë rritje të taksave për biznesin e vogël duke e futur atë në skemën e TVSH, projekti në fjalë mban kosto të fshehura, të cilat pritet të krijojnë jo pak gropa në buxhetet e këtyre bizneseve sidomos të atyre që janë në kufijtë e mbijetesës. Këto kosto kanë të bëjnë me faktin se bizneset duhet të kontraktojnë studio kontabilistësh për shërbimet profesionale dhe kjo sigurisht që është një kosto për ta.
Edhe mënyra se si administrohet TVSH është një kosto për bizneset e vogla, pasi arkëtimi i TVSH në favor të buxhetit duhet kryer në momentin e shitjes ndërkohë që biznesi ruan inventare mallrash të pashitura për të cilat ka paguar TVSH-në që në momentin e blerjes. Kjo mospërputhje në kohë sigurisht që përbën një kosto shtesë e cila vështirë se mund të përballohet prej shumicës prej tyre.
Po të kemi parasysh se bëhet fjalë për biznese që sigurojnë të ardhura vjetore shpeshherë në nivelin e një page mesatare në ekonomi, natyrshëm lindin dyshimet për realizimin e kësaj mase dhe dobishmërinë e një mase të tillë.
Realiteti është se sot shumica e bizneseve të vogla janë thjesht në kufijt e mbijetesës dhe sigurojnë të ardhura minimale për mbijetesën e familjeve, ndaj dhe kjo masë e shtrirë në bllok parashikohet të shtojnë ‘ushtrinë’ e asistencës sociale.
Për shkak se numri i subjekteve që do të duhet t’i nënshtrohen këtij detyrimi është shumë i lartë, biznesi në Shqipëri dominohet në mbi 70% të tij nga mikrondërmarrjet, kjo bën që kostot e administrimit nga autoriteti tatimor të jenë shumë të larta, duke e bërë atë të paaftë që ta administrojë procesin në mënyrë eficiente. Kjo është arsyeja që dhe në vendet e BE-së ka një kufi përjashtues të xhiros, dhe në disa raste subjektet përjashtohen nga regjistrimi si subjekt i pagimit të TVSH.