Lirimi nga paraburgimi i nje trafikanti qe ishte kapur me 5 ton droge, ka bere qe KLD te nis nje inspektim te thelluar ne Gjykaten e Vlores. Këshilli i Lartë i Drejtësisë shprehet se ka ndjekur me vëmendje informacionet e transmetuara në median e shkruar dhe vizive mbi lirimin nga paraburgimi të shtetasit R.A të hetuar, në masë sigurie arrest me burg, për mbi 5 tonë lëndë narkotike në fshatin Llakatund, Vlorë, duke theksuar se vendimi gjyqësor për lirimin e tij, dhënë nga gjyqtari A.B. i Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, ka probleme serioze me ligjin.
“Ne këto kushte, pasi u shqyrtuan paraprakisht të dhënat e transmetuara në media, si dhe kuadri ligjor në fuqi, konkretisht dispozitat e Ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në RSH”, është çmuar se ka vend për verifikimin e rastit në fjalë. Inspektorati i KLD-së, ka filluar verifikimit për mbledhjen e të gjitha provave të nevojshme që hedhin dritë mbi faktet e ekspozuara në ankesën publike, duke i kërkuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë paraqitjen e të gjitha vendimeve dhe procesverbaleve mbi procesin gjyqësor të zhvilluar ndaj të pandehurit R.A lidhur me caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” dhe lidhur me lirimin e tij nga paraburgimi”, thuhet në njoftimin e KLD.
Ngjarja
Vetem pak ditë më parë, Skënder Haluci ngriti shqetësimin se në gjykatë përfundojnë vetëm peshqit e vegjël. Por lirimi i një të arrestuari për mbi 5 tonë hashash vërtetoi të kundërtën, duke e vënë atë dhe gjykatën që ai drejton në një pozicion të rënduar para opinionit publik.
Pas vendimit të gjyqtarit Arqile Basho, që çoi në shtëpi me garanci pasurore Rakip Arapajt, Haluci pranon se Gjykata e Vlorës e ka humbur betejën me trafikantët e drogës.
“Jam në dijeni se ditën e premte është zëvendësuar masa e sigurisë për një të dyshuar që ishte për drogë dhe disa armë luftarake”, ka deklaruar Haluci në një intervistë telefonike për Top Channel.
Cili është komenti juaj pas këtij vendimi?
“Komenti im është se rrjeta e gjykatës u ça nga peshkaqenët e trafikimit të lëndëve narkotike, që do të thotë se një i paraburgosur për drogë sot është jashtë”, ka thënë Haluci.
Kush janë peshkaqenët?
“Peshkaqenët janë ata që organizojnë trafikun e drogës”, ka thënë kryetari i Gjykatës së Vlorës.
Por ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë nuk ka nisur ende inspektimet në Gjykatën e Vlorës, Haluci shprehet në pritje të kontrolleve për këtë vendim. “Jam i gatshëm që kur të nisin inspektimet t’u dorëzoj vendimin”, ka thënë Haluci.
Nga ana tjetër, prokuroria pohon se do ta kundërshtojë në Apel lirimin e Arapajt, i arrestuar në fshatin Drithas, Llakatund, si i dyshuar për prodhim të mbi 5 tonëve hashash dhe 2.5 litrave vaj hashashi.
Por ndërsa dy gjykata e lanë në “arrest me burg” të dyshuarin, Gjykata e Vlorës e rivlerësoi masën, duke e lënë atë në gjendje të lirë, me një garanci shtrënguese prej 1 milion lekësh. Ose 208 herë më pak sesa vlera monetare e 5 tonëve hashash në tregun ilegal të trafikut të drogës.