KALLXO.com ka siguruar një kopje të kërkesës për paraburgim, në të cilën tregohet në detaje aksioni i Policisë së Anti-Drogës të Veriut të Mitrovicës gjatë të cilit, në afërsi të Mitrovicës, u arrestuan Arben Bytyqi dhe Avdyl e Safet Hoxha.
“Sapo janë parkuar të parkingu i “Viva Fresh” më qëllim qe t’i transportojnë narkotikët jashtë shtetit dhe menjëherë me të vërejtur policinë i pandehuri Arben Bytyqi ka filluar që të ikte në këmbë nga vendi i ngjarjes dhe nga largësia e ka mbyllur veturën “Audi A6””, thuhet në kërkesën e Prokurorisë së Mitrovicës.
Kërkesa gjithashtu sqaron së polici Bytyqi më pas ishte arrestuar në fshatin Smrekonicë të Vushtrrisë dhe ishte kthyer përsëri në vendin e ngjarjes.
“I njëjti është arrestuar ne fshatin Smrekonicë nga patrulla policore dhe kur i është afruar automjetit të tij në fshatin Shupkovc i njëjti sipas kërkesës ka hapur automjetin dhe në bagazhin e automjetit në një çantë të madhe të udhëtimit janë vërejtur paketa të mbështjella me folie dhe ngjitës të tejdukshëm në formë shiriti”, përshkruan kërkesa.Njësia e Forenzikës ka hapur çantën dhe ka vërejtur së në të janë 27 paketime me substanca të dyshuara narkotike të llojit marihuanë dhe me peshë të përgjithshme prej 14 kilogramë e 722 gramë.
Prokuroria ka kërkuar paraburgim për të tre të dyshuarit duke u bazuar në peshën e veprës penale që këta dyshohen së e kanë kryer.
Gjithashtu, për të pandehurin Bytyqi ka përshkruar se i njëjti është person zyrtar, i cili ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tij, andaj konsideron se i njëjti nëse mbrohet në liri ekziston frika se mund të përsërisë veprat e njëjta penale. Të hënën, Gjykata për të tre ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh.
ma.me