Ish kryeministri Sali Berisha, përmes mesazheve të një qytetari ka denoncuar një skandal sipas tij, ku është i përfshirë deputeti socialist i Shkodrës, Luan Harusha.
Ky i fundit ka reaguar duke mohuar akuzat e Berishës.
Në mesazhet e postuara në Facebook, Berisha shkruan se i riu i arrestuar pak ditë më parë në Shkodër me 15 doza kokainë, Blerim Harusha është nip i deputetit Luan Harusha.
Ndërsa më tej thuhet se atij i janë gjetur jo 15 doza, por 5 kilogram kokainë teksa akuzon policinë për zhdukjen e sasisë të madhe të drogës.
Reagimi i Luan Harushës lidhur me akuzat e Berishës:
Të nderuar miq dhe bashkëqytetarë të Shkodrës,
Mësova nga mediat që famëkeqi Sali Berisha ka hedhur akuza të pabaza ndaj meje, në lidhje me një person të ndaluar para pak ditësh nga policia e Shkodrës, duke guxuar të krijojë lidhje të paqena farefisnore me të, për shkak të mbiemrit te ngjashëm.
Dëshiroj që të ndaj me ju një të vertetë të ditur prej të gjithë atyre që më njohin personalisht, por edhe familjen time. Personi i cili është ndaluar nga policia e Shkodrës për veprën penale trafikim lëndësh narkotike, Blerim Harushaj vërtet ka të njëjtin mbiemër, por nuk ka asnjë lidhje familjare me mua, apo për më tepër që të jetë nip i imi.
Ky informacion është lehtësisht i verifikueshëm për këdo, që do te mësojë të vërtetën, pasi I ndaluari në fjalë Blerim Pal Harushaj datëlindja 11.04.1991, nëna Drande, banues ne Tepe që doktori e di mjaft mirë, është nga Bajram Curri dhe jo nga Shkodra, por më vjen keq që zotëri Berisha tenton të shtrembërojë të vërtetën, duke menduar që e ka shumë të lehtë të më bëjnë kushëri, xhaxha/dajë apo nip, me këdo që thjesht ka të njëjtin mbiemër me personin tim.
Berisha mos t’I bëjë budallenj shkodranët dhe shqiptarët, të cilët nuk harrojnë që në kohën kur ishte kryeministër, nipërit e tij qëllonin me armë në mes të kryeqytetit. Sikurse mos kujtojë që shqiptarët kanë harruar, që për disa vite ai nuk mund të shkelte në Tropojë, pikërisht për lidhjet me krimin e të fortët e asaj zone, që sollën konflikte e hasmëri.
Akuzat e Berishës nuk më impresionojnë, pasi në kohën që ishte kryeministër, unë isha kryetar I komunës Rrethina në Shkodër, më e madhja në Shqipëri për numrin e popullsisë dhe nuk gjeti asnjë element të jashtëligjshëm në personin apo aktivitetin tim privat por dhe familjar, që të më shkarkonte sipas ligjit.
Gjej rastin që të falënderoj dhe njëherë të gjithë banorët e Shkodrës, për mbështetjen dhe konsideratën në zgjedhjet më të fundit, rezultati I të cilave, tregon se dhe qyteti më I madh verior po distancohet dhe braktis politikën e baltës së Berishës dhe pasardhësve të tij.
/a.m.