JavaNews.al/ Arrestimi i shtetasit Klodjan Zaimaj nga Cërriku nga policia malajziane nën akuzën e pjesëmarrjes në organizatën terroriste ISIS, dhe rekrutimin e personave për këtë grup, ka vënë në lëvizje edhe autoritetet shqiptare. Drejtoria Antiterror në Policinë e Shtetit ka nisur kontaktet me palën malajziane për të siguruar të dhëna të plota rreth së shkuarës së Zaimajt dhe prirjeve të tij. Zaimaj njihet si besimtar që frekuentonte xhaminë e Cërrikut, por prej 8 vitesh ai është rezident në Malajzi ku jeton dhe ushtron profesionin e mësimdhënësit.
Por rasti i Zaimajt, është i disati nga zona e Cërrikut, që akuzohen për lidhje me ISIS. Rastet e hetuara lidhen me besimtarë të një xhamie në Cërrik e cila është e pavarur nga Komuniteti Musliman. Pikërisht, kjo ka vënë në lëvizje sërish Drejtorinë Antiterror për monitorimin e besimtarëve me prirje radikale që frekuentojnë këtë xhami por jo vetëm. Nën monitorim janë edhe xhami të tjera të pavarura nga KMSH bëjnë me dije burimet për JavaNews. Kjo pasi edhe rastet e tjera të proceduara për lidhje me ISIS apo prirje radikale, kanë qenë nën hetim besimtarë të këtyre xhamive. I tillë ishte edhe rasti i imamëve të xhamive të Mëzezit dhe Unazës, të cilët u arrestuan në vitin 2014 për rekrutimin e luftatarëve shqiptarë për në Siri bashkë me disa shtetas të tjerë.
Përpjekjet e dështuara për kontrollin e xhamive të pavarura
Pas aksionit të vitit 2014 i cili tronditi opinionin publik, ku u arrestuan dy imamë për rekrutimin e shqiptarëve në ISIS, ka pasur disa tentativa nga ana e Komitetit të Kulteve por edhe nga ana e Komunitetit Musliman për marrjen nën kontroll të xhamive të pavaruara ku dyshohet se kryhen predikime radikale. Fillimisht, nisi një verifikim në territor në bashkëpunim me KMSH për identifikimin e këtyre institucioneve. Sa i takon numrit të tyre, asnjëherë nuk u publikua një e dhënë e saktë. Fillimisht u fol për 13 xhami të tilla, ku 7 prej të cilave ndodheshin vetëm në qarkun e Tiranës, por edhe pse nga KMSH dhe policia burimet e JavaNews konfirmojnë se bëhet fjalë pak a shumë për një numër të përafërt, nuk konfirmohet me saktësi se sa.
Nga ana e Komitetit të Kulteve ka pasur disa herë tentativa dhe negociata me imamët e vetëshpallur të këtyre xhamive, por nuk është arritur në akord për vendosjen e tyre nën jurudiksionin e KMSH. Përpos deklaratave optimiste nga KMSH dhe Komiteti i Kulteve këto vitet e fundit, jo vetëm që nuk ëhstë gjetur gjuha me besimtarët e këtyre xhamive, por imamët e tyre kanë hedhur akuza të ashpra në drejtim të KMSH në shumë raste. Veç monitorimit të këtyre institucioneve nga Drejtoria Antiterror, ajo që nuk dihet është nëse ka një strategji se si do të veprohet me to. Në raste të caktuara ka edhe xhami të ndërtuara pa leje, por ndërhyrja e shtetit shihet me skepticizëm pasi mund të ketë efekte të rënda mbyllja e një objekti kulti./JavaNews.al/A.Malasi