Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti në takim Drejtorin e Përgjithshëm për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatat e Anëtarësimit në Komisionin Evropian, Christian Danielson.
Në një njoftim nga zyra për shtyp e kreut të shtetit, thuhet se Meta theksoi rëndësinë që ka përmbushja e 5 prioriteteve të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit dhe u shpreh optimist për plotësimin në kohë të tyre.
Ai nënvizoi gjithashtu se pritshmëritë legjitime të qytetarëve shqiptarë dhe investimi i madh evropian dhe amerikan për reformën në drejtësi duhet të njohin përparim cilësor dhe të shpejtë në ngritjen e plotë dhe funksionimin efikas të organeve që do të bëjnë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Presidenti Meta theksoi gjithashtu rëndësinë që ka nisja në kohë e reformës zgjedhore në Kuvendin e Shqipërisë, për të trajtuar me seriozitet dhe në mënyrë gjithëpërfshire të gjitha shqetësimet dhe rekomandimet që ngrihen në raportin e OSBE/ODIHR-it.
Meta dhe Danielson shkëmbyen mendime edhe mbi situatën në rajon dhe zhvillimet e fundit në Bashkimin Evropian.
a.ç