Në Kuvendin e Shqipërisë është mbajtur paraditen e së martës një seancë përkujtimore për 70-vjetorin e pushkatimit të deputetëve nga regjimi komunist.
Në fjalën e tij në këtë seancë, kryeministri Edi Rama ka deklaruar se ligji për hapjen e dosjeve përbën një hap përpara për Shqipërinë, e cila sipas tij do të radhitet përkrah atyre vendeve që e kanë lënë të kaluarën pas.
“Ligji për hapjen e dosjeve, pas 25 vjetësh e bashkoi Shqipërinë me vendet që kaluan ferrin komunist dhe që vendosën të ndahen me të jo thjesht duke ndërruar sistemin dhe kostumet, por duke guxuar të bëjnë dritë mbi të shkuarën”, ka deklaruar Rama.
Kreu i qeverisë ka theksuar se, dosjet për 25 vjet janë përdorur politikisht nga persona që nuk kanë patur vullnet për hapjen e tyre.
Ndërsa “ligji i sotëm na pajis me mjete hulumtimi në funksion të një misioni human. Unë jam krenar që jam në krye të një qeverie e shumice që këtë mision e mori përsipër pasi të tjerë para nesh nuk patën kurajon apo nuk gjetën kohën që ta merrnin”, ka thënë më tej Rama.
Sipas tij, ato dosje janë një gur i rëndësishëm kilometrik në rrugën e hedhjes dritë mbi të shkuarën, e cila sipas tij do të jetë e dhimbshme, “por nuk do të lejojë që e kaluara të mbajë peng të ardhmen tonë”, ka shtuar Rama.
***
70-vjetori i eliminimit të 15 deputetëve ka mbledhur sot Kuvendin e Shqipërisë në një seancë të posaçme. Në kujtim të 10 tetorit 1947, përfaqësues të trupës diplomatike, klerikë dhe të ftuar janë mbledhur në sallën e seancave plenare.
Të pushkatuarit: Shefqet Beja, Riza Alizoti, Sulo Klosi, Salim Kokalari, Irfan Majuni, Enver Sazani dhe Selaudin Toto, Sheh Ibrahim Karbunara, Paolo Saggioti, Agathokli Xhitoni, Mehmet Prishtina, Abdul Kokoshi, Beqir Çela, Tefik Deliallisi, Pertef Karagjozi, Islam Radovicka dhe Hysen Shehu.