Policia italiane arrestoi dy shqiptarë, një burrë dhe një grua pasi akuzohen për prodhim dhe shpërndarje droge. Bëhet fjalë për shtetasit Jurgen S., 41 vjeç dhe partneren e tij E.M., 21 vjeçe.
Pas një hetimi intensiv, me ndjekje dhe vëzhgime nga afër, policët e Ravennas zbuluan një banesë në qendër të qytetit e përshtatur për aktivitetin e shpërndarjes së drogës.
Sipas hetimeve ka rezultuar se shtëpia ishte shumë e frekuentuar nga persona të panjohur që vinin nga jashtë qytetit.
Gjatë kontrollit të banesës, policia gjeti brenda një vazoje të madhe, 140 gram kokainë, dy peshore precize dhe një biçak me gjurmë të substancës së paketuar.
Po kështu u gjetën tre telefona celularë, një portofol dhe një arkë kursimesh që përmbante më shumë se dy mijë euro në kartëmonedha të prerjeve të ndryshme.
Shqiptarët u dërguan në burgun e Ravennas dhe të Forlit.
Sipas policisë, Jurgeni ka qenë i kërkuar në vitet 2000. Më pas ai është zhdukur për rreth dhjetë vjet për t’u rishfaqur me një dokument të ri identifikimi.
Duke lidhur të dhëna të ndryshme dhe duke rindërtuar lëvizjet e tij të fundit në vendet e vuajtjes së dënimit, u bë e mundur që të zbulohej se identiteti aktual ishte i lidhur me një tjetër emër, Julian, subjekt në kërkim që nga viti 2008, mbi të cilin ishte lëshuar edhe një urdhër arresti për vepra penale në lidhje me drogën. /b.d