Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Kompania e Transmetimit të Kosovës do të jenë aksionerët e bursës shqiptare të energjisë. Kuadri ligjor po shkon drejt mbylljes, ndërkohë që synimi është sigurimi i energjisë me çmime më të lira dhe një treg sa më transparent.
“Është mekanizmi më i lartë dhe më transparent, që siguron çmim transparent dhe për rrjedhojë ulje të çmimit të blerjes së energjisë me shumicë.
Atë energji që ne e blejmë në bursa të huaja”, deklaron Entela Çipa, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Shqipëria është para vendeve fqinje në hapat për krijimin e bursës dhe kështu krijohet mundësia që në të, të marrin pjesë edhe kompanitë e Malit të Zi dhe Maqedonisë.
“Mund të përfshihen edhe fqinjët e tjerë, si Mali i Zi dhe Maqedonia. Ne po ndërtojmë linjën 400 kë me Maqedoninë dhe sa më likuiditet të ketë një bursë, sa më shumë të ardhura dhe flukse energjie, aq më i leverdisshëm do të jetë çmimi”, thotë Çipa.
Aktualisht Shqipëria e blen energjinë në bursa të huaja, ku OSHEE dhe KESH hapin tendera për kompanitë tregtare. Futja në operim e bursës shqiptare ka si afat vitin 2018. (b.an)