Bizneset italiane janë tërhequr drejt Shqipërisë si me magnet, si rrjedhojë e afërsisë, kostove të lira të punës, jetesës së lirë dhe njohjes së gjuhës italiane nga të rinjtë shqiptarë.Por shumë subjekte italiane rezultojnë që nuk kryejnë asnjë aktivitet në Shqipëri.
“Monitor” ka zbuluar skemën e evazionit, me faturime fiktive, me “kështjellat e letrës”, ose “kutitë boshe” që përdorin sipërmarrjet italiane për të shmangur taksat në vendin mëmë
Ro.Ma Consulting”, me objekt aktivitet në fushën e këshillimeve financiare, të biznesit dhe të këshillimit ligjor, u themelua në gusht të 2015-s në Qendrën Kombëtare të Biznesit nga ortakë italianë. Subjekti kaloi në listën e bizneseve pasive, të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, duke qenë se në 12 muaj nuk kishte dorëzuar asnjë deklaratë tatimore.
Megjithëse objekti i aktivitetit i një tjetër shoqërie italiane, “Panfido Albania” i tejkalon dy faqe me përshkrimin e aktivitetit në ekstraktin e dorëzuar në QKB, ajo rezulton se nuk ka kryer asnjë ditë punë në Shqipëri. Kompania thuhet se do të ofrojë nga shërbimet portuale, te transporti i mallrave dhe i njerëzve, e deri te prodhimi dhe nxjerrja e naftës. Edhe ky subjekt kaloi në listën e subjekteve pasive të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, për të njëjtën arsye me kompaninë e mësipërme të konsulencës financiare.
Në të njëjtën linjë me dy kompanitë e mësipërme, ku përshkrimi i aktivitetit dhe arsyet pse janë çelur në Shqipëri vishen me mister, është dhe kompania “QITALY”. “Ushtrimi i çdo veprimtarie apo aktiviteti, i cili nuk ndalohet me ligj”, shkruhet në hapësirën përshkruese të këtij subjekti, me administratorë dhe ortakë italianë. Kjo shoqëri e regjistruar në datën 1 janar 2015 pushoi së qenë aktive në fillimin e vitit të shkuar, me vendim asambleje, ndërkohë që ka depozituar vetëm pasqyrat financiare për 2015-n me një aktivitet që mbetet enigmë.
Në fund të vitit 2016, sipas INSTAT, në Shqipëri kishte 2661 sipërmarrje italiane, ose me kapital shqiptaro-italian, duke u renditur të parët, me pothuajse gjysmën e numrit të sipërmarrjeve të huaja në vend.
Por, shumë prej tyre po rezultojnë që nuk kryejnë asnjë aktivitet. Sipas ekstraktit historik, të publikuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pjesa më e madhe e këtyre subjekteve nuk kryenin asnjë aktivitet. Për shkak të mungesës së deklarimeve, tatimet i kanë kaluar në regjistrin e subjekteve pasive. Sipas ligjit, bizneset që nuk kryejnë aktivitet për 12 muaj radhazi kalojnë në regjistrin pasiv. Në përgjithësi, fusha e veprimtarisë së tyre ishte në konsulencë financiare apo ligjore.
Këto biznese italiane që, nuk kryejnë asnjë aktivitet apo nuk shprehin qartë se me çfarë do të operojë biznesi i tyre, si aktiviteti i mësipërm, tashmë po listohen edhe si debitorë.
Burime zyrtare nga Tatimet thanë se e kishin të pamundur që brenda një kohe të shkurtër të identifikonin listën e plotë dhe numrin e subjekteve italiane që kishin kaluar në status pasiv vitin e fundit.
Jo zyrtarisht, mësohet se numri i madh i subjekteve italiane që regjistrohen në QKB dhe nuk kryejnë asnjë aktivitet, ka rënë në sy të Tatimeve dhe disa subjekte po ndiqen nga Tatimet, por gjithsesi nuk mund të nxirret asnjë konkluzion pa vëzhguar aktivitetin e tyre, apo transaksionet bankare.
Kontabilistët hedhin dyshime se një pjesë e madhe e subjekteve të çelura në Shqipëri shërbejnë për të justifikuar të ardhurat e gjeneruara në shtetin fqinj. Duke qenë se norma e tatimfitimit në vendin fqinj është e lartë, ato rrisin shpenzimet artificialisht, duke u faturuar nga subjektet që kanë hapur në Shqipëri.
Skema e faturimit fiktiv
Diego Occari, docent ekonomie, pohoi për Monitor se, si rrjedhojë e shtimit të kompanive nga vendi fqinjë që vijnë në Shqipëri, ka një tendencë në rritje të kërkesës për mbajtjen e kontabilitetit të subjekteve italiane në Shqipëri. Por, krahas subjekteve që duan realisht të hapin aktivitet dhe të kryejnë biznes, ka dhe nga ata që vijnë në Shqipëri thjesht për ta pasur si një bazë për lëshimin e fakturave fiktive. “Ne si zyrë kontabiliteti marrim çdo muaj dy deri në tre kërkesa të tilla, të cilat i kemi refuzuar kategorikisht”, thotë z. Occari.
Ai pranon të tregojë skemën e faturimit fiktiv, që përdorin subjektet italiane.
Faturimi fiktiv është një fenomen më pak i njohur publikisht, por fatkeqësisht i pranishëm nën rrogoz, – tregon Diego Occari.
Në Itali, faturat mund të përgatiten lehtësisht në Word apo dhe në Excel dhe janë zyrtare. Shumë subjekte lëshojnë tipe të tilla faturash fiktive, duke përdorur numrin NIPT në Shqipëri. Ky fenomen njihet si “Esterovestizione” dhe ka lindur së fundmi në Itali, ku sipërmarrje të ndryshme, kërkojnë që të vendosen apo të çelin një NIPT të dytë në një nga vendet të cilësuara si të privilegjuara nga ana fiskale.
Dy janë arsyet kryesore për çeljen e një aktiviteti në një vend më të favorshëm për sa u përket taksave. Së pari, bizneset italiane faturojnë një pjesë të shërbimeve nga biznesi në Shqipëri, ndërkohë që aktivitetin e kanë kryer në Itali (justifikojnë të ardhura me aktivitetin në Shqipëri). Së dyti, me anë të bizneseve në Shqipëri, ato rrisin artificialisht shpenzimet duke faturuar bizneset jashtë Italisë, në këtë mënyrë ulin në mënyrë fiktive tatimin para tatimit në vendin e tyre.
Megjithëse këto biznese figurojnë me aktivitet zero pranë organeve tatimore shqiptare, në Itali ato rezultojnë se “operojnë” në Shqipëri. Por, identifikimi i aktivitetit të tyre bëhet i vështirë nga fakti se deri më sot, ende nuk ka kryqëzim të faturave midis dy vendeve.
“Për më tepër, formatin e faturës shqiptare, italianët pothuajse nuk e njohin fare dhe ne jemi të detyruar që çdo faturë nga blloku tatimor ta shoqërojmë me një faturë në italisht apo në anglisht”.
“Mendoje pak sa e thjeshtë është deri në këto momente që ta bësh këtë”, – tregon Occari.
Megjithatë sipas kontabilistëve, skema e faturimit fiktiv do të jetë lehtë e evidentuar pas 1 janarit të vitit që do të vijë, kur do të bëhet i mundur kryqëzimi i faturave.
Skema të tjera
Elona Lika, kontabiliste në profesion, tregoi për “Monitor” disa nga praktikat më të shpeshta që përdorin këto firma, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore. Një pjesë e madhe e subjekteve të çelura në Shqipëri shërbejnë për të justifikuar të ardhurat e gjeneruara në shtetin fqinj. Duke qenë se norma e tatimfitimit në vendin fqinj është e lartë, ato rrisin shpenzimet artificialisht, duke u faturuar nga subjektet që kanë hapur në Shqipëri.
Skemë tjetër e paraqitur nga ekspertë të fushës, të cilët kërkuan që të mbeten anonimë, është sigurimi i dokumenteve justifikues të rremë, si fatura hotelesh, bileta udhëtimesh etj. Një individ me pagë të lartë në Itali vjen në Shqipëri dhe çel një NIPT si person fizik, dhe duke përfituar nga normat e ulëta, ai i faturon shërbime biznesi në Itali. Nga rezultatet e sondazhit, pjesa dërrmuese e këtyre subjekteve që kishin kaluar në pasiv ishin në fushën e konsulencës financiare, fiskale dhe juridike.
Një nga skemat e zbardhura është dhe blerja e aktiveve, p.sh., automjeteve, të cilat individët italianë, pasi nuk arrijnë t’i justifikojnë këto blerje me të ardhurat në Itali, i deklarojnë të blera me të ardhurat e gjeneruara nga bizneset në Shqipëri.