Nga Ben Andoni
Ajo që të gjithë kanë frikë te PD-ja është ideja e një ndarje. Kjo e nënkupton më së miri kujdesin që organizatorët e Lëvizjes së re po bëjnë që të mos e etiketojnë si ndarje, kundërshtinë e tyre. Fati i ndarjeve te PD-ja ka qenë gjithnjë me një fund të hidhur.
Gjithsesi, ata që po e ndjekin këtë lëvizje, më rëndom po e quajnë fraksion, kurse duke i dhënë rëndësi e quajnë skizëm. Kjo e fundit s’ka fare lidhje me ato që po ndodhin te PD-ja, pasi ndryshimet s’janë doktrinare ose ideologjike, por thjesht strukturore. Lulzim Basha, kryetari aktual i Partisë Demokratike, është i anatemuari i madh i lëvizjes së re për ringritjen e PD, ndërsa të gjithë anëtarët e këtij grupimi hedhin poshtë idenë e fraksionit me një organizim mirëfilli juridik brenda Partisë Demokratike. Këtë e justifikojnë edhe fjalitë më të shumta që kanë artikuluar: Bashkimi i PD-së përmes një procesi zgjedhor! Të kërkohet ndjesë publike! Hapja e një debati për kapërcimin e problemit! Platformë për të gjithë anëtarësinë! Jo ndarje postesh, por pajtim mes një debati të përgjithshëm!
Shumë prej këtyre personazheve që të gjithë shënjestrën e kanë për z.Basha harrojnë një gjë fare të thjeshtë: Militantët, anëtarët e rregullt, dashamirët e PD-së janë të lodhur me të njëjtat xhaketa në krye të partisë dhe me sloganet që në vite kanë ndryshuar fare pak për të mos thënë fare. Ndaj, nuk i bën më përshtypje Basha, nuk i bën më përshtypje dhe kjo lëvizje dhe madje edhe asgjë që do të rrjedhë prej kësaj.
PD-së i nevojitet fryma dhe pikërisht këtë kërkon anëtarësia e saj. Realisht, kjo është beteja vërtetë e humbur e PD-së dhe tragjedia e saj, asfare humbja nga zgjedhjet e përgjithshme, që mund të ndodhin edhe me një lidërship të mirë dhe jo si aktuali i PD-së. Në këtë vazhdë, problemi i PD-së thellohet pasi e ka pasur disa herë pushtetin dhe nuk arriti të vendosë ekuilibrat socialë me pronat, nga ku përfaqësuesit më të prekur janë nëpërkëmbur turpshëm duke bredhur deri në Strasburg; të përndjekurit sot e kësaj dite kërkojnë identitetin, shkapërdredhur në disa shoqata; anëtarësia e PD-së është ndarë dhe madje bjerrur frikshëm. Pikërisht për të ringritur këto tre kolona është beteja e ardhshme e PD-së dhe asfare ajo që ka lidhje me riorganizime, debate dhe anatema. Lulzim Basha me shumë gjasa do jetë në parti dhe nëse PD-ja do të humbë zgjedhjet lokale, por fryma nëse humbet sërish po kalb vetë trupin e këtij formacioni, i cili po jeton makthin e tij më të madh. Dhe, Basha këtë nuk e kupton, e më së shumti nuk e kupton edhe vetë ajo pjesë potenciale e PD-së me ato marifete që bëri ta mbajë në pushtet
Ndaj beteja e madhe e PD-së, qoftë e njerëzve të listës dhe atyre anti-listë duhet të jetë për të mbajtur dhe gjetur shpirtin e kësaj partie e cila po bjerret frikshëm nga dita në ditë, qoftë edhe para gabimeve të shpeshta të partisë në fuqi, e cila rri dhe sodit e kënaqur të gjithë këtë tollovi. (Javanews)