Në zbatim të Ligjit “Për Sportet”, Policia e Shtetit nis aplikimin e gjobave dhe përjashtimet nga stadiumet, për tifozët që kryejnë shkelje.
Pranë çdo Komisaritati do të ngrihet një Komision për Shqyrtimin e Kundërvajtjeve Administrative, ku zhvillohen veprimtari sportive.
Në krye të këtij Komisioni emërohet Shefi i Komisariatit.
Shkeljet e konstatuara gjatë një evenimenti sportiv, si: mbajtja dhe përdorimi në objektet e mjediset sportive të flakadanëve, fishekzjarrëve, lëndëve piroteknike dhe sendeve të tjera të rrezikshme për jetën dhe shëndetin e pjesëmarrësve, përdorimi e tregtimi i pijeve alkoolike, si dhe cënimi i përfaqësuesve të Federatave, arbitrave të ndeshjes, vëzhguesëve etj, dërgohen në Komisionin e Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative, i cili miraton masat.
Në rast shkeljesh sanksionet parashikojnë gjobë nga 10-50 mijë lekë, ndalim të pjesëmarrjes deri në 1 vit në mjediset sportive, në rast diskriminimi për shkaqe të ndryshme si edhe ndalim të hyrjes në mjediset sportive deri në 2 vjet, në rast se konstatohen sendet e palejuara në objektet dhe mjediset sportive.
Për çdo ankesë, kundërvajtësi mund t’i drejtohet Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave, që drejtohet nga Nën/Drejtori i Policisë Vendore.
Pasi vendimi merr formë të prerë, masa administrative gjobë, bëhet titull ekzekutiv dhe duhet të paguhet nga kundërvajtësi menjëherë.
Për të patur një evidencë të plotë për gjithë shkelësit në stadiume, Policia e Shtetit do të ndërtojë një regjistër elektronik me emrat e tyre. Kjo listë u dërgohet edhe FSHF dhe klubeve të futbollit, në rastet kur do t’u ndalohet hyrja në stadiume.
a.ç