Deklaratat e forta të pak ditëve më parë të ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, nuk kanë bërë jehonë vetëm në Shqipëri.
Ato kanë bërë entuziaste edhe mediat dhe analistët në Kosovë, të cilët kërkojnë një ambassador si Lu në vendin e tyre, pasi kanë të njëjtat problem si Shqipëria, në lidhje me klanet mafioze.
“Një ambasador si Donald Lu, për t’ua dridhur themelet oligarkëve të inkriminuar”.
Kështu hapet sot gazeta “Kosova Sot”, e cila ka marrë mendimet e disa analistëve, për domosdoshmërinë e një ambasadori si Lu edhe në Prishtinë.
“Kur klasa politike dështon dhe shteti shkon drejt greminës, atëherë reagon ndonjë mik i huaj, siç është rasti i ambasadorit Lu. Ambasadori Lu e ka treguar shumë herë se është mik i shqiptarëve, mbase kjo e ka nxitur që të reagojë me tone të ashpra, duke dalë shpeshherë përtej xhaketës së ambasadorit. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë janë pothuajse të njëjtat probleme”, theksoi Faton Mehmeti për “Kosova Sot”
“Duke parë mungesën e vullnetit të lidershipit politik kosovar dhe institucioneve të shtetit, për luftimin efikas të krimit të organizuar dhe të korrupsionit në vend, analistët politikë konsiderojnë se edhe Kosovës i duhet modeli i një presioni ndërkombë tar, siç është rasti i ambasadorit amerikan Donald Lu në Tiranë, i cili në deklarimet e tij po godet haptas e pa ekuivokë e me fakte, si askush tjetër, krimin e organizuar të katër klaneve kriminale dhe 20 familjeve të inkriminuara.
Tani, duke parë situatën identike të krimit e korrupsionit në Kosovë, analistët konsiderojnë se edhe në vendin tonë, pa ndihmën ndërkombëtare nuk ka shans që të arrestohen e lëre më të gjykohen klanet dhe familjet kriminale që po e sundojnë e po e shkatërrojnë edhe Kosovën, ngjashëm sikur që po bëhet në Shqipëri.
Në këtë plan, rastit të Kosovës, vlerësohet se një përgjegjësi të madhe mban edhe bashkësia ndërkombëtare në Kosovë, që përmes protagonistëve diplomatë nuk po distancohet hapur e ngjashëm nga kriminelët kushdo qofshin ata, sidomos kur kemi parasysh se një pjesë e madhe e të inkriminuarve janë bartës të institucioneve të larta shtetërore dhe komunale.
Dihet mirëfilli që drejtuesit e krimit në Kosovë, klanet kriminale, e që janë disa familje, përgjimet “Pronto” dëshmuan bërthamën e një pjese të këtij grupi kriminal të prirë nga vëllezërit Devolli, që bënë miliardat e krimit përmes krimit të organizuar, bashkë me politikanë të nivelit të lartë në klanin “Pronto”, që janë pjesë e klanit të madh e mbi 10- vjeçar “Pronto 1 e 2”, si dhe disa klane të tjera të lidhura me nëntokën kriminale , por deri më sot nuk po arrestohen, nuk hetohen dhe nuk ndiqen penalisht”, shkruan gazeta “Kosova Sot”.
Analisti Gani Qarri thotë se, për fat të keq, edhe pse kaluan disa ditë që ambasadori Lu bëri publike katër klanet kryesore të krimit të organizuar në Shqipëri, si dhe 20 familjet pjesëmarrëse në to, duke goditur hapur e duke cekur drejtpërsëdrejti grupet mafioze dhe Gjyqësinë e Prokurorinë joefektive atje, megjithëse njëjtë si në Shqipëri, edhe te ne nuk është gjendje hiç më e mirë, për çudi, në Kosovë vazhdojnë të heshtin jo vetëm vendorët, por edhe ndërkombë- tarët, ambasadorë të nderuar, si për lidhjet e ngushta të politikës me krimin e organizuar, ashtu edhe për veprimtarinë e papenguar të oligarkive mafioze në vend.
“Shqiptarët, edhe në Kosovë, me të drejtë kanë pritje krejt tjetër nga kjo që aktualisht po ndodh me Gjyqësorin dhe Prokurorinë tonë, meritojnë diçka shume më të mirë nga sistemi i drejtë- sisë së kapur, kërkojnë që ai të mbajë përgjegjësi për të gjithë ne dhe t’i ofrojë drejtësi të vërtetë popullit shqiptar në Republikën e Kosovës.
Ndaj, njëjtë si në Shqipëri, edhe Kosovës i duhet më shumë se buka dhe urgjentisht një dorë e sinqertë dhe e fortë ndërkombëtare, si ambasadori amerikan Donald Lu, i cili në deklarimet e tij po godet haptas e pa ekuivokë dhe me fakte si askush tjetër deri më tani, krimin e organizuar si dhe Gjyqësorin e paaftë dhe dobësitë e theksuara të policisë për çrrënjosjen e krimit”, u shpreh ai./a.m.