Ka nisur me debate seanca plenare. Teksa u miratua rendi i ditës, Partia Demokratike kishte disa pretendime sa i takon ngritjes së Komisonit të Reformës Zgjedhore. Kreu i grupit të PD Edmond Spaho, ka kërkuar që të ketë diskutime për komisionin edhe pse ka pasur dakordësi. Kërkesa e opozitës lidhet edhe me problematikat e ngritura në raportin e OSBE.
“Ju kam njoftuar që grupi i PD kërkon të diskutohet për Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ne kemi diskutuar në Konferencën e Kryetarëve dhe kemi rënë dakord që ka konsensus për komisionin, ngeleshin përbërja dhe afatet e tij. Sot jemi në kushtet që projektvendimi është i plotë, me përbërje, me afate, sot ne kemi të drejtën të diskutojmë. Në seancën e dytë kemi kaluar projekt-vendimin për organet e Vettingut për të cilin kemi diskutuar. Tentativa për të mos na dhënë mundësinë për të diskutuar këtë projektvendim për zgjedhjet, është qëndrim jo i drejtë, ndaj në emër të PD insistoj që do diskutojmë për këtë projektvendim”, deklaroi Spaho.
Pas deklaratës së Spahos ka reaguar edhe kreu i grupit të PS Taulant Balla. Ai tha se ngritja e komisonit me konsensus nuk sjell nevojën e zhvillimit të debateve. Kjo sipas tij është traditë e parlamentit. Balla madje ka ironizuar edhe me përplasjet brenda PD-së.
“Unë jam plotësiht dakord me idenë e një pjese të grupit të PD për të krijuar realitetin e tyre alernativ. Miqësisht mund të them se nuk mund të ketë diskutim. Sa herë janë ngritur komisonet me konsensus këtu në këtë sallë nuk ka pasur diskutim”, deklaroi Balla./a.m.