E lindur më 1933-in e në një familje të varfër në Peru, Lina do të bëhej nënë duke qenë ende fëmijë. Kur ajo ishte 5 vjeç mamaja e saj vuri re që vajza e vogël ankohej vazhdimisht dhe se barku i vogëlushes nisi të rritej në mënyrë të pazakontë.
Fillimisht doktorët menduan se bëhej fjalë për ndonjë formë të çuditshme tumori, por pas një sërë ekzaminimesh do të ishte mjeku Gerardo Lozada që do të konfirmonte se vajza ishte 7-muajshe shtatzënë.
Pak javë më vonë ajo do të sillte në jetë djalin e saj Gerardo (në nder të mjekut që u kujdes për të) me prerje cezariane. Fëmija i sapolindur ishte i shëndetshëm dhe peshonte 2.7 kg. Gjatë procesit të lindjes, doktorët mësuan se Medinës i ishin pjekur plotësisht organet seksuale. Ajo vuante nga ‘’puberteti i parakohshëm’’ dhe kishte nisur të zhvillohej në moshë shumë të vogël. Në dosjen e saj të shëndetit thuhej se i kishin ardhur menstruacionet e para që në moshën 3- vjeçare. Djali i saj Gerardo u rrit me mendimin se Medina ishte motra e tij, por në moshën 10 vjeçare mësoi të vërtetën.
Babai i Medinës u arrestua nën akuzën ‘’abuzim seksual me fëmijë’’ dhe ‘’incest’’, por u lirua shumë shpejt nga mungesa e provave. Deri sot, rrethanat që ndikuan në shtatzënine e Medinës janë ende të panjohura. Djali i saj humbi jetën në moshën 40 vjeçare si pasojë e një tumori në kocka, kurse mamaja më e re në botë tashmë është 84 vjeç dhe vazhdon të jetojë akoma. /a.m.