Ministri i Financave, Arben Ahmetaj thotë se ka shumë vende, përfshirë shtetet e zhvilluara të Bashkimit Europian, të cilat nuk i regjistrojnë konçesionet si borxh, siç kërkon Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Ka disa standarde ndërkombëtare të pranuara. Ne sigurisht jemi në praktikat e mira të prezantimit të bilanceve në buxhetin e shtetit”, deklaron Ahmetaj.
Madje sipas tij, Shqipëria ka një kuadër ligjor më të rreptë se këto vende, që nuk i lejon konçesionet të rrezikojnë financat e shtetit.
“Garancia që ne kemi, që konçesionet janë në kontroll të plotë të riskut, është kufiri ligjor që kemi futur në ligjin organik të buxhetit që çdo konçesion paguhet brenda 5 përqindëshit të të ardhurave tatimore të vitit të kaluar. Pra, ka një kufi limit. Më shumë se kaq ti nuk avancon më me konçesionet”, thotë Ahmetaj.
Për kreun e Financave, mesazhi kryesor i FMN për ekonominë shqiptare nuk ishte shqetësimi për konçesionet, por një tjetër.
“Më në fund, rritja ekonomike ka kaluar mbi 4 për qind. Ka prekur nivelet e parakrizës. Ekonomia shqiptare ka filluar të ketë stabilitet në rritje. Rritet me një shpejtësi ndryshe nga rajoni dhe e dyta, që ka të bëjë me qytetarët, kjo qeveri nuk krijon borxh të ri. Përkundrazi, po kursen dhe paguan borxhet që kanë marrë qeveritë e tjera në kurriz të qytetarëve”, thekson Ahmetaj.
Sipas tij, rritja do të përshpejtohet deri në 5.5 për qind gjatë tre viteve të ardhshme, e mbështetur nga reforma e derregullimit dhe investimet e mëdha publike dhe private.
ma.me