Banda e Altin Dardhës, ku bënte pjesë i arrestuari i sotëm në Bari të Italisë, Gëzim Kasemi, ishte një grup kriminal që u bë e njohur në qytetin e Beratit gjatë vitit 1997, kur në Berat sundonte anarkia. Anëtarët e bandës akuzohen për krijim të grupit kriminal, mbajtje të mjeteve luftarake, vrasje, pengmarrje dhe gjobëvënie.
Kjo bandë kreu krime nga më të tmerrshmet. Altin Dardha ne vitin 1997, ishte një prej personazheve më të frikshëm të krimit në Berat. A. Dardha u vendos në qendër të konfliktit që shkaktoi më shumë se 300 të vrarë në Berat gjatë vitit 1997 jo vetëm si pjesë e krimit, por edhe sepse ai për shkak se në vitin 1993 mori pjesë në vrasjen e vëllait të Burhan Tomorit, banor i lagjes “Vakef” dhe në 6 korrik 1997 organizoi vrasjen brutale dhe masakrimin deri në ndarjen në copa-copa të vëllait të madh Shefqet Tomori, ngjarje e cila degjeneroi në shpalljen e luftes mes Altin Dardhës dhe Burhan Tomorit.
Gjatë vitit 1997 konflikti mes të dyve ndau Beratin në dy pjesë, sidomos pasi djemtë e lagjes “Vakef” të nofkuar tashmë si “Banda e Burhan Tomorit” qëlluan dhe vranë Shkëlqim Dardhën, të atin e Altinit, që punonte si kambist në vendin e quajtur “Axhensia” pranë lokalit të Beshir Tomorit, djalit të xhaxhait të Burhan Tomorit i cili ishte shok i vjetër me Shkëlqimin dhe që të dy nuk kishin lidhje me asnjë nga ngjarjet e zhvilluara mes Burhanit dhe Altinit.
Altin Dardha dhe banda e tij akuzohen të kenë kryer shumicën e vrasjeve të vitit 1997 në Berat dhe rrethinat e tij. Vetë Altini, sipas një shifre të deklaruar nga ai vetë, besohet se ka vrarë rreth 60 njerëz.
Ish-anëtarët e bandës
Altin Dardha- i vrarë
Ilir Cuman Ponoçi
Kastriot Jaupaj
Gezim Kasemi
Agron Bilali
Dritan Zhuka (Shuaipi) -i vrarë
ma.me