Reformat e rendesishme qe ka perpara vendi dhe integrimi ne BE kane qene ne qender te diskutimit ne takimin qe Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Gramoz Ruçi pati sot me Ministrin e Punëve të Jashtme të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn, në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Pasi i shprehu mirëseardhjen në vendin tonë delegacionit nga Luksenburgu, Kryetari i Kuvendit vuri në dukje rëndësinë e kësaj vizite me qëllim shkëmbimin e mendimeve konstruktive për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumë të mira midis dy vendeve tona dhe nxitjen e bashkëpunimit të mëtejshëm në fusha me interes reciprok, veçanërisht në aspektin ekonomik.
Ruçi vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme që Luksemburgu i ka dhënë përpjekjeve të Shqipërisë për të përparuar në procesin e integrimit europian të vendit, në vijim të mbështetjes dhe partneritetit në kuadër të NATO-s.
Kryetari i Kuvendit bëri një panoramë të zhvillimeve në vend, duke u ndalur në mënyrë të posaçme në zhvillimet e veprimtarisë parlamentare në Legjislaturën IX, në këtë legjislaturë të re. Ruçi vuri në dukje vendimmarrjen parlamentare për ngritjen e organeve të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si dhe të strukturave dhe të organikës të tyre, duke konkretizuar kështu procesin e Reformës në Drejtësi. Kryetari i Kuvendit bëri me dije se “kjo Legjislaturë do të ndërmarrë reforma të një rëndësie të veçantë për vendin, duke filluar nga Reforma Zgjedhore”.
Në këtë kontekst, Ruçi nënvizoi dhe hapat e rëndësishëm që shteti shqiptar do të vijojë të ndërmarrë në kuadër të reformës në administratë, për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, etj.
Në vijim, biseda mes dy personaliteteve të larta u përqendrua në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Kryetari i Kuvendit theksoi se politika shqiptare ka një qëndrim të unifikuar sa i përket perspektivës sonë të qartë evropiane, duke vënë në dukje mbështetjen dhe angazhimin e të gjitha forcave politike shqiptare për arritjen e këtij objektivi prioritar të Shqipërisë, të integrimit në BE”.
Kryetari i Kuvendit u ndal në disa prej hapave kryesorë të ndërmarrë nga shteti shqiptar për përmbushjen e prioriteteve kyçe të përcaktuara nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit, duke vënë në dukje rëndësinë e mbështetjes së Luksemburgut në këtë drejtim. “Ne shpresojmë se me punën tonë dhe mbështetjen tuaj të pakursyer, të çelim negociatat për Bashkimin Europian brenda vitit të ardhshëm.
Nga ana e tij, Ministri i Punëve të Jashtme të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn, shprehu kënaqësinë e kësaj vizite në vendin tonë dhe për këtë takim me Kryetarin e Kuvendit.
Asselbron vuri në dukje arritjet e deritanishme të Shqipërisë në procesin e Reformës në Drejtësi, duke nënvizuar se zbatimi i kësaj reforme do të jetë çelësi i hapjes së negociatave për Shqipërinë. “Procesi integrues i Shqipërisë në BE dhe çelja e negociatave për anëtarësim është e lidhur me vijueshmërinë e reformave të rëndësishme të ndërmarra nga shteti shqiptar. Reforma në Drejtësi është çelësi i suksesit. Shqipëria duhet të vijojë në këtë rrugë dhe unë shpreh bindjen se brenda vitit 2018 do të çelen negociatat me Bashkimin Europian”, – u shpreh Asselborn.
Ministri i Punëve të Jashtme të Dukatit të Madh të Luksemburgut, Jean Asselborn, u shpreh se vendi i tij do të vijojë të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian dhe se inkurajon vazhdimin e zbatimit të reformave në kuadër të përmbushjes së detyrimeve të saj ndaj procesit të euro-integrimit./a.m.