Deputeti i LSI Përparim Spahiu ka komentuar deklaratën e FMN lidhur me rrezikun që vjen nga të ashtuquajturat PPP. Spahiu deklaroi se qëndrimi i kësaj force është në një linjë me FMN ndërsa shtoi se nevojiten më shumë filtra.
“Ne patëm një takim me përfaqësuesit e FMN-së para një jave, i cili ishte takimi i grupeve parlamentare. Qasja e LSI në diskutimin për programin qeverisës pothuajse ka qenë të njëjtat shqetësime përsa i takon qasjes ekonomike të qeverisë, si përsa i përket PPP-ve, madje për bashkimin e tatimeve me taksat ka kosto financiare që ekspertët i llogarisin me 15-20%. Këto janë shqetësime të njëjta, jemi në të njëjtën linjë me FMN-në, gjë të cilat i kemi paraqitur në takimet që kemi pasur me ta. Përsa i përket PPP-ve, ju e dini që është depozituar në Kuvend, më herët se sa të depozitohej projektligji për statusin e minatorit, një draft ku është kërkuar më shumë filtra, më shumë transparencë, pasi është e vërtet e nevojshme të kuptohet se ç’po ndodh, se ç’situatë financiare është. Mungon shumë transparenca, dhe fakti që FMN e parashtron si problem them që qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme në këtë aspekt”, deklaroi ai.
Më herët Spahiu prezantoi nismën e LSI për statusin e minatorit.
“Një trajtim dinjitoz për rreth 21,000 minatorë në gjithë vendin, që kontribuan më shumë se kushdo tjetër në ekonominë kombëtare të 70 viteve të fundit. Industria e nxjerrjes së mineraleve, ishte dhe mbetet ende zemra e industrisë shqiptare dhe kontribuese kryesore në të ardhurat kombëtare në vite.
Ky projektligj është një zbutje e pabarazisë sociale ndërmjet shqiptarësh që kanë kontribuar në ekonominë e vendit. Projekti bën fjalë për punonjës të nëntokës që çdo ditë të jetës së tyre, janë ndarë me familjarët e tyre si për ditën e fundit të jetës. Disa për fat të keq nuk u kthyen dot. Këta punonjës janë kontribues themelor në ekonominë tonë, ndërkohë që zyrtarë e aparatçinj, kontributi i të cilëve ishte modest ( për të mos thënë s’kishin fare kontribute) shteti i trajtoi dhe i trajton shumë më mirë.
Kjo quhet PABARAZI!
Projekti synon ta shuaje këtë pabarazi. Nuk kërkohet ti hiqen përfitimet të tjerëve, por tu jepen edhe punonjësve të nëntokës të paktën sa të tjerët. Pra, vendosjen në pozita të barabarta.
Ky ligj, nuk është gjë tjetër veçse mirënjohje për kontributin e këtij profesioni të vështirë. Shoqëria shqiptare duhet ti jetë mirënjohëse minatorëve që për vite e dekada mbajtën “gjallë” ekonominë tonë.
Nisma është depozituar në muajin Mars, por për fat të keq u bllokua dhe nuk u mor ne shqyrtim në legjislaturën e mëparshme.
Është punuar me specialist, ekspertë, grupe interesi, minatorë, familjet e tyre dhe është drafti qe kemi për diskutim duke filluar nga dita e nesërme në komisionet përkatëse.
Ne jemi të hapur të bashkëpunojmë për çdo përmirësim të arsyeshëm që do të lindte nga diskutimi në Kuvend si dhe pas opinionit që qeveria do të jepte për efektet financiare”, tha ai./a.m.