Policia e Tiranës ka arrestuar dy shpërndarës kokaine gjatë operacionit antidrogë të koduar “Tekstili”. Një prej tyre rezulton ushtar profesionist në Komandën e Forcave Tokësore.
Seksioni për hetimin e narkotikëve në bashkëpunim me komisariatin nr.6, pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kanë arrestuar sot shtetasit:
1- Xhuljano Kasa, 22 vjeç, banues në Tiranë (me funksion ushtar profesionist në Komandën e Forcave Tokësore)
2- Denis Kanani, 21 vjeç, banues në Tiranë.
Këta dy shtetas janë konstatuar të ulur në një lokal në rrugën “Llambi Bonata”, ku gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e policisë, në tavolinën ku këta dy shtetas ishin ulur janë gjetur qese të tejdukshme me lëndë të dyshuar narkotike, të mbuluara me një xhup.
Në vijim janë ushtruar kontrolle në banesat e dy shtetasve të mësipërm ku:
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Xhuljano Kasa, poshtë dyshekut të krevatit është gjetur një qese me sasi të konsiderueshme pluhuri të bardhë, (i ndarë në doza) dhe një dokument identifikimi ushtarak, të cilin e paraqiste për t’iu shmangur kontrolleve të policisë, ndërsa gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Denis Kanani, është gjetur një pistoletë e tipit “Magnum”, me kalibër 9 mm.
Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
– 79 gramë lëndë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.
– 582 gr lëndë e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.
– pistoletë e llojit “Magnum”, e kalibrit 9 mm.
– 3 telefona celularë.
– dokument identifikimi ushtarak (i shtetasit Xhuljano Kasa).
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhim dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”./a.m.