Nga EDUARD ZALOSHNJA
Me disa ditë vonesë, INSTAT-i nxori, më së fundi, raportin mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) për tremujorin e dytë të 2017-ës. Ndër raportet që publikon INSTAT-i, ky është ndoshta më i besueshmi, sepse mbikëqyret drejtpërdrejt nga FMN-ja dhe EUROSTAT-i (rreth besueshmërisë se ulët të raporteve të tjerë të INSTAT-it, shihni, për shembull, analizën time në AFP, rreth shifrave të punësimit: http://afp.al/news/2017/08/cudite-shqiptare-me-numrin-e-te-punesuarve-opinion-nga-eduard-zaloshnja-43542/ ).
Në raportin e INSTAT-it mbi PBB-në, bie menjëherë në sy lajmi i mirë se, në tremujorin e dytë të 2017-ës, PBB-ja është rritur në terma realë me 4.06%. Gjë që do të thotë se volumi i mallrave dhe i shërbimeve të këtij tremujori, ka qenë 4.06% më i madh se në të njëjtin tremujor të një viti më parë, pavarësisht nga luhatjet e çmimeve.
Por në qoftë se gërmohet në tabelat që tregojnë se ku ka shkuar ky prodhim i brendshëm bruto, vihet re se konsumi i popullatës (që përbën destinacionin kryesor të PBB-së), ka shënuar një rritje, pak a shumë, sa gjysma e rritjes së PBB-së, – vetëm 2.27%. Gjë që tregon se, një pjesë e mirë e rritjes ekonomike nuk është përkthyer në rritje të konsumit të popullatës.
Po ku ka shkuar kjo rritje e PBB-së, që nuk është përkthyer në konsum të popullatës?
Së pari, ka shkuar për rritjen e investimeve kapitale, të cilat u rritën 14.28%, në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë. Këtu vendin kryesor e zënë dy projekte të mëdha energjetike – TAP-i dhe kaskada e Devollit – të cilat e kanë zanafillën në fundin e vitit 2012.
Së dyti, ka shkuar në eksportin e shërbimeve, i cili u rrit 21.96%, në krahasim me të njëjtin tremujor të një viti më parë (rritja e eksportit të mallrave ishte praktikisht e njëjtë me rritjen e përgjithshme të PBB-së). Në eksportin e shërbimeve, vendin kryesor e zënë shpenzimet që bëjnë turistët e huaj, kur vizitojnë Shqipërinë.
Rritja anemike e konsumit të popullatës (krahasuar me rritjen e shëndetshme të PBB-së), nuk është fenomen i veçuar. Në fakt, në katër tremujorët e fundit të publikuar nga INSTAT-i, kemi patur një rritje të shëndetshme të PBB-së, ndërkohë që rritja e konsumit të popullatës ka qenë, vazhdimisht, më e ulët (shihni grafikun shoqërues).
Në tremujorët e ardhshëm, për sa kohë do të vazhdojnë punimet në dy projektet energjetike të sipërpërmendura (TAP-i dhe kaskada e Devollit), duket se do të vazhdojë mospërputhja mes rritjes së PBB-së me rritjen e konsumit. Sepse investimet që bëhen në këto dy projekte, duket se nuk kanë efekt multiplikator tek konsumi i popullatës në përgjithësi (ato mund të kenë vetëm efekte lokale mbi konsumin).
Nga ana tjetër, rritja e të ardhurave nga turizmi i huaj, duket se ka ndikuar pak deri më sot, në rritjen e konsumit nga ata që përfitojnë prej këtyre të ardhurave.
Sfida e vërtetë për ekonominë shqiptare, do të jetë ruajtja e ritmeve aktuale të rritjes së PBB-së, pasi të kenë përfunduar TAP-i dhe hidrocentralet në kaskadën e Devollit. Pasi të vihen në shfrytëzim këto vepra, kontributi i tyre në PBB-në e vendit do të jetë i pandjeshëm. Dhe do të duhen projekte të reja madhore, që të plotësojnë kërkesën për investime.
Nga ana tjetër, që rritja ekonomike të jetë e shëndetshme dhe afatgjatë, duhet të rritet kërkesa konsumatore e brendshme. Dhe kjo mund të ndodhë vetëm në qoftë se rritet në mënyrë të qëndrueshme numri i të punësuarve, si dhe të ardhurat që sigurojnë ata nga puna. Sepse të ardhurat nga burime ilegale (për shembull nga kultivimi i kanabisit), nuk mund të përbëjnë një karburant afatgjatë për ekonominë…
Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”
http://afp.al/news/2017/10/raporti-i-instat-it-nxjerr-ne-pah-rritjen-anemike-te-konsumit-opinion-nga-eduard-zaloshnja-52825/