Perëndimi duket se është më afër Shqipërisë për investimet e huaja. Të dhënat e detajuara të Bankës së Shqipërisë për Investimet e Huaja Direkte sipas shtetit bëjnë të ditur se në 6 muajt e parë të vitit 2017, investitori më i madh ishte Zvicra, me 87 milionë euro në total, që erdhën kryesisht në tremujorin e parë.
Në vend të dytë është Holanda, me 77 milionë euro. Sipas Bankës së Shqipërisë, Statkraft, kompania që po ndërton me koncesion HEC-in e Devollit, që deri tani ka investuar rreth 500 milionë euro, ka investitor direkt holandez.
E treta është Austria, me 44 milionë euro. Edhe austriakët janë investitorë të mëdhenj në sektorin e energjisë, përmes hidrocentralit të Ashtës, që po ndërtohet nga kompania Verbund.
Në vend të katërt ka kaluar për herë të parë Franca, me 40 milionë euro, nga të cilat 35 milionë euro në tremujorin e dytë, si rrjedhojë e punimeve që po kryhen nga kompanitë franceze për gazsjellësin TAP. Një nga kompanitë franceze që ka hyrë së fundmi në Shqipëri është Spiecapag, e themeluar në shkurt 2016, një nga nënkontraktorët kryesorë të gazsjellësit TAP, që po ndërtohet në Shqipëri.
Objektet kryesor të veprimtarisë së shoqërisë janë dizenjo, inxhinieri dhe ndërtim, asistencë teknike për impiante dhe makineri të rënda, ndërtimi dhe mirëmbajtja e impianteve përkohësisht, përfshirë shërbime në terren. Për vitin 2016 kompania deklaroi një qarkullim vjetor prej 15 miliardë lekësh (rreth 110 milionë euro), ndërsa fitimi para taksave ishte 1.8 miliardë lekë (rreth 13 milionë euro). Më pas renditen Greqia dhe Italia, me përkatësisht 29 dhe 22 milionë euro.
Banka e Shqipërisë raporton edhe 90 milionë euro investime të huaja në 6 mujorin e parë, origjina e të cilave nuk jepet për arsye konfidencialiteti, por që lidhen kryesisht me punimet për gazsjellësin TAP, investitori i të cilit është një konglomerat shtetesh.
Në vite, rekordin e stokut të investimeve vijon ta mbajë Greqia, që edhe për disa vjet duket e paarritshme. Në vite, kompanitë me kapital grek kanë investuar 1.2 miliardë euro, ku peshën kryesore e kanë zënë telekomunikacionet. E dyta është Holanda, me 817 milionë euro, kryesisht në fushën e energjisë.
Investitori i tretë më i madh në vite është Kanadaja, si rrjedhojë e aktivitetit të kompanisë Bankers Petroleum, që shfrytëzon me koncesion fushën më të madhe naftëmbajtëse mbi tokë në Europë, atë të Patos Marinzës. Në fund të vitit 2016, Bankers është shitur tek kinezët e Geo Jade. Më pas renditet Zvicra me 647 milionë euro, kryesisht në energji.
Italia, ndonëse është partneri kryesor tregtar i Shqipërisë dhe ka numrin më të lartë të sipërmarrjeve, me rreth gjysmën e subjekteve të huaja në vend, është vetëm investitori i pestë më i madh në vite. Kompanitë italiane që vijnë në Shqipëri janë kryesisht të vogla dhe investimet më të mëdha kanë qenë në fushën e tekstileve e këpucëve. Stoku i investimeve italiane është 632 milionë euro deri në fund të gjashtëmujorit të parë 2017. Pas Italisë renditen Turqia, Austria, Qipro dhe Franca./Monitor