Kosta Taçi: Nuk e di që Bujana të ketë pasur 100 mijë euro me vete
Biznesmeni që ka punuar me 32 vjeçaren Bujana Bushi shprehet se nuk ishte në dijeni që ajo të kishte me vete shumën e 100 mijë eurove. Kosta Taçi ka dëshmuar në polici, sipas Gazeta Shqiptare, se i ka ardhur shumë keq kur ka marrë vesh vdekjen e saj, pas aksidentit që ai vetë pësoi gjatë rrugës për në Vlorë.
“Po udhëtoja me makinë për në Vlorë për të mbyllur bilancin e dyqanit, kur në fshatin Lekaj një motor me dy persona më preu rrugën. Në moment manovrova për të shmangur mjetin, por u përplasa fort me një shtyllë në mes të rrugës. Nuk mbaj mend më asgjë. Vetëm kur u përmenda në urgjencën e Spitalit Rajonal të Durrësit mësova se Bujana Bushi kishte humbur jetën. Më erdhi shumë keq për të dhe familjen e saj. Bujanën e njihnin të gjithë pjesëtarët e familjes sime, madje atë e kemi ndihmuar sa herë ka pasur nevojë”, ka deklaruar Taçi në të parën dëshmi, gjashtë ditë pas ngjarjes tragjike me Bujana Bushin.