Për vite të tëra, 3 mijë banorë të fshatrave Poroçan, Holtas, Gjere, Lleshaj në bashkinë e Gramshit kanë vuajtur izolimin nga pjesa tjetër e vendit, veçanërisht në ditët e vështira të dimrit.
Shkollat dhe qendrat shëndetësore, në largësi nga fshatrat dhe nga njëra – tjetrat kanë qenë përherë e më shumë të paarritshme nga banorët, për shkak të amortizimit të urës pasarelë, e vetmja që lidhte zonën me pjesën tjetër të bashkisë. Ministrja e mbrojtjes, Xhaçka e pranishme në ditën e parë të fillimit të punimeve deklaroi se Forcat e Armatosura të Shqipërisë janë ato që nuk dorëzohen kurrë, e janë të pranishmë aty ku pakkush mund të ndërhyjë.
“Kur të gjithë të tjerët janë dorëzuar, pasi për pamundësi nuk e ndërtojnë dot një urë apo për pamundësi nuk i përgjigjen dot pasojave të një fatkeqësie natyrore apo për pamundësi nuk i përgjigjen dot nevojave emergjente për ndihmë, Forcat e Armatosura janë gjithmonë atje siç kanë qenë, siç janë dhe siç do të jenë gjithmonë pranë qytetarit dhe pranë komunitetit.
Në 100 ditëshin e parë të qeverisë do të kemi më shumë ura të tilla, për të bërë të mundur që shumë fshatra, sikundër këto katër fshatra këtu pranë Poroçanit të dalin nga izolimi i dimrit të vështirë. Që 3000 banorë këtu të kenë mundësinë të lëvizin më kollaj apo që 300 nxënësit e këtyre katër fshatrave, bashkë me prindërit e tyre ta kenë shumë më të lehtë që të lëvizin drejt tre shkollave 9-vjeçare dhe shkollës së mesme”, tha Ministrja në takimin me banorë të Poroçanit.
Ajo solli në vëmendje ngjarjen e 5 viteve më parë, ku dy motra adoleshente rrezikuan jetën pasi ura ku ato po kalonin për të shkuar në shkollë u shemb.
“Siguria e jetës dhe ndihma ndaj komunitetit do të jenë parësore dhe kryefjalë e punës së të gjithëve ne, që nga strukturat drejtuese e deri tek çdo ushtar, për t’i ardhur në ndihmë komuniteteve tona dhe për t’u ardhur në ndihmë të gjithë banorëve. Ne do të bëjmë çmos që, si këtu në Poroçan në të gjithë Shqipërinë, kudo ku janë zonat më të izoluara, kudo ku komunitetet kanë nevojë për ndihmën tonë, Forcat e Armatosura të jenë gjithnjë në krah të banorëve”, deklaroi Ministrja Xhaçka