Zhvillimi i aktivitetit të një misioni “humanitar” rus në Kosovë nuk përbën shqetësim për Qeverinë e Kosovës, shkruan Koha Ditore.
Një organizatë joqeveritare e Rusisë nuk ka aplikuar në institucionet përkatëse për të ofruar shërbime humanitare në territorin e Kosovës, edhe pse ligji e kërkon një gjë të tillë. Por ajo ka hyrë në marrëveshje vetëm me Qeverinë e Serbisë, duke e përfshirë edhe territorin e Kosovës.
Edhe pse zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj, shprehu shqetësim për synimet e kësaj organizate në Kosovë, Zyra e kryeministrit Haradinaj nuk e sheh si problem përderisa marrëveshja është nënshkruar mes Qeverisë së Serbisë dhe organizatës ruse.
“Jo asnjë organizatë ruse nuk ka aplikuar që të kryejë shërbime humanitare në Republikën e Kosovës.
Është çështje e Republikës së Serbisë dhe institucioneve të saj se më kë nënshkruan memorandume për sa i përket misioneve humanitare”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së kryeministrit dërguar gazetës, përgatiti Koha. (b.an)