Ngjarjet në gjirin e partisë kryesore të opozitës pas humbjes së thellë të 25 Qershorit kanë treguar një realitet që duket i pandryshueshëm. Lulzim Basha humbi zgjedhjet e 25 Qershorit thellë, por fitoi garën brenda Partisë Demokratike edhe më thellë sesa në vitin 2013.
Fitorja e tij duket se e ka përcaktuar fatin e Bashës në krye të partisë për së paku 4 vite të tjera, por shumë veta dyshojnë se jetëgjatësia e tij do të jetë edhe më e madhe, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve, qoftë lokale të 2019, qoftë atyre të përgjithshme politike të vitit 2021. E megjithatë, kritikat ndaj tij vazhdojnë, madje në mënyrë të ashpër. Tashmë ka shumë pikëpyetje në opinionin publik lidhur me atë se çfarë realisht kërkojnë kritikët e tij, ata që s’morën pjesë në garë kundër tij në korrik, por edhe ndonjë prej tyre që riskoi gjithçka duke u bërë pjesë e saj, si Eduard Selami.
I ftuar në “Top Story”, Selami theksoi se gara në Partinë Demokratike “nuk nisi si e barabartë, por ishte gjëja e duhur për tu bërë”.
“Pavarësisht se kishte mangësi e manipulime dhe pavarësisht se Basha nuk është prononcuar ende për këtë fakt për turpin e tij, unë prapë i uroj suksese dhe shpresoj që PD të fitojë zgjedhjet e radhës. Unë i qëndroj asaj që nuk bojkotohet partia. Kritikët nuk i shërbyen as vetes dhe as Partisë Demokratike. Kam thënë që fushata ishte e pabarabartë dhe e padrejtë, por unë sërish e njoh legjitimitetin e zotit Basha sepse mendoj se është në të mirë të forcës sime politike”, deklaroi Selami.
Në lidhje me kritikat e Sali Berishës mbi listën e PD-së, Selami u shpreh: “Nuk besoj se lista është bërë pa bekimin e Berishës. Kritikat që i ka bërë Bashës janë të vonuara, por të drejta. Por, për mendimin tim, nuk besoj se lista që paraqiti Lulzim Basha është bërë pa miratimin e Sali Berishës”.
Selami, i cili nënvizoi gjithashtu se “Partia Demokratike sot është më pak demokratike sesa në fillimet e saj”, theksoi se “është krenar” që është pjesë e kësaj partie.
Eduard Selami deklaroi se ka ardhur koha që të ulet zëri kritik në Partinë Demokratike tani që Lulzim Basha u zgjodh sërish në krye të saj.
“Nuk jam dakord me bojkotin siç u bë. Tani duhet ulur pak zëri sepse Basha u zgjodh tashmë. Edhe Basha dhe kritikët duhet të zbuten. Basha duhet të telefononte Patozin, Bregun dhe Topallin e të fliste me ta. Unë them që Basha duhet të mblidhte grupin e vjetër parlamentar dhe të bënte kalimin e stafetës. Këtu humbi një rast”, tha Selami, i cili sqaroi se nuk do të kandidojë për asnjë post në PD.
“Unë do të jap kontributin tim maksimal për Partinë Demokratike, por nuk do të kandidoj për asnjë lloj posti në parti. Basha më ka në dispozicion. Kontributi nuk janë vetëm funksionet apo postet”, tha Selami.
Në fund, Selami theksoi se “suksesi i Bashës është suksesi jonë i përbashkët”.
a.ç