Nuk ka mjaftuar apeli i vazhdueshëm i aktivistëve romë apo ankesat te zyra e Këshillit të Evropës. Ca më shumë edhe rekomandimet e Avokatit të Popullit për të mos i nxjerrë 9 familje rome jashtë Selitës, me rastin e ndërtimit të Unazës së Madhe. Mjafton të mendohet sesa e frikshme është që shteti shqiptar mbetet fare indiferent dhe nuk e llogarit asfare problematikën e komunitetit të tyre
Nga Ben Andoni
Historia e prishjes së shtëpive të tyre në Selitë, aty ku po ndërtohet Unaza e Madhe, ka humbur në këto ditë të fundit të Korrikut. E themi ka humbur, sepse veç angazhimit të aktivistëve të komunitetit rom dhe përfaqësuesve të Avokatit të Popullit dhe të vetë z. Totozani, askush nuk ka dashur t’ia dijë për ta. Rekomandimet, që kanë pasuar angazhimin e institucionit të Avokatit të Popullit si dhe aktivistëve, por edhe ankesa e tyre e përbashkët drejtuar zyrës së Këshillit të Evropës ka qëlluar një nul. Është problemi juaj dhe duhet të zgjidhet konform ligjeve në fuqi, na tha zyrtari Marco Leidegger, shprehet për “JAVA” Brisilda Taço, një nga aktivistet, që ka qenë tejet e angazhuar këto ditë në mbrojtje të kauzës rome në Selitë.
Historia është gati e ngjashme me shumë syresh. Më datën 23 korrik 2015, në zonën e Selitës, Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT-ja) filloi aksionin e sakaqtë pas një vendimi zyrtar për të kryer shembjen e banesave, të cilat janë në gjurmën e ndërtimit të Unazës së Madhe. Të panjoftuar që më parë, ashtu si edhe kërkohet konform ligjit, dhe pa pasur një alternativë tjetër, edhe pse me shtëpi të para vitit 1991, banorëve romë u janë prishur shtëpitë. E vetmja gjë që ka mbetur ishte protesta dhe ankimimi. Të mendosh tmerrin e vapës së këtyre ditëve, atëhere bindesh, se ka një mekanizëm, jo të drejtë në shumë raste.
Aktivistët dhe familjarët organizuan një takim me Avokatin e Popullit duke i kërkuar mbështetje për veprimet anti-ligjore nga IKMT. Ata i paraqitën atij ankesat e tyre dhe njohjen me dokumentet. Por, kleçkat s’kanë fund për ta. “Në rast kur nuk ka një njoftimi me shkrim (zyrtar) nga institucioni është e pamundur për familjet e prekura për t’iu drejtuar gjykatës. Disa prej familjeve janë në shok, të papërgatitur për zhvendosjen, kurse autoritetet shtetërore, për më tepër, nuk kanë marrë asnjë masë për të lehtësuar këtë situatë, ndërkohë nuk ka personel mjekësor, nuk ka punonjës social, psikolog etj. Disa nga familjet nuk kanë marrë ende qiranë e subvencionuar nga shteti , pra familjet janë te kërcënuar se do të përfundojnë në rrugë”, shprehet një nga aktivistët.
Në këtë paradoks, Avokati i Popullit, pasi është njohur me problemin, u kërkoi familjeve të cilat pretendonin se banesat e tyre ishin ndërtuar vërtetë para 1 gusht 1991, dokumente që e vërtetonin këtë gjë, në mënyrë që të përfitonin për të kryer procesin e shpronësimit. Por, ndërsa vazhdonin bisedat, në këto ditë, procesi i shembjeve ka vazhduar normalisht, madje edhe të shtepitë familjet e të cilave kanë pranuar subvencionimin prej 2 vjetësh qera (disa prej tyre tashmë janë larguar nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë për azil).
Ndërkohë nëpërmjet komisionerëve të vet, Avokati i Popullit argumentoi se veprimi i IKMT s’ishte i drejtë dhe dha disa rekomandime për zgjidhjen e këtij ngërçi dhe më 24 korrik 2015, përfaqësues të Avokatit te Popullit erdhën në komunitet për të bërë një dalje mediatike duke shprehur se vendimi i IKMT-së është i paligjshëm.
Por në këto ditë mbushur me veprimtari të ethshme parlamentare, askush nuk ua vuri veshin. Prishjet e banesave kanë vazhduar edhe deri ditët e fundit të korrikut. Kurse rekomandimet e Avokatit të Popullit duken se e kanë vendin sërish në kosh. “Përgjigja dhe reagimi institucional ndaj rekomandimeve të Avokatit te Popullit, në fakt nuk duhet të jenë çështje ndjeshmërie, por ligjshmërie. Këtu qëndron edhe problemi, pasi sot ne po ndeshemi me mosreagim ndaj rekomandimeve tona, fakt që është theksuar disa herë edhe publikisht nga ana e Avokatit të Popullit. Kjo gjë vlen edhe për rastin e Selitës, pa ndryshuar ky lloj qëndrimi që vetëm ligjor nuk mund të jetë, puna e Avokatit të Popullit vihet para vështirësive dhe sfidave të mëdha. Këtu nuk është çështja tek formaliteti i zbatimit te rekomandimit, por tek respektimi i te drejtave te njeriut që në zinxhirin institucional njeh si garant kushtetues edhe institucionin e Avokatit te Popullit”, thotë Alket Jaupi.
Ku mund të drejtohet tani, ky komunitet?! Me sa duket sërish në qiell të hapur. Nuk ka paqje për ta në këtë dhè. Edhe pse shteti shqiptar është angazhuar aq shumë në dekadën rome për ta.
—————————*-*
Avokati i Popullit
Edhe në rastin “Selita”, po hasim me mospërfillje
Komisioneri i Avokatit të Popullit, Alket Jaupi, flet për rastin e fundit “Selita”, duke thënë se pa ndryshuar ky lloj qëndrimi mospërfillës, që vetëm ligjor nuk mund të jetë, puna e Avokatit të Popullit po vihet para vështirësive dhe sfidave të mëdha…
A ekziston ndonjë lloj presioni që mund të bëj institucioni Juaj pas rekomandimeve?
“Është e vërtetë që sidomos këto vitet e fundit Avokati i Popullit është angazhuar dhe ka pasur si prioritet të punës së tij, përmirësimin e kushteve të jetesës së minoritetit Rom në vend. Një nga rastet më specifike është ai i Selitës, ku cënohen banesat e një komuniteti Rom për shkak të ndërtimit të Unazës së Re të Tiranës. Në numrin e rekomandimeve që janë përgatitur vetëm për këtë rast përfshihet edhe rekomandimi me i fundit për të cilin Ju tashmë keni dijeni.
Sa i takon presionit, që mund të bëhet pas dërgimit të rekomandimeve janë disa forma:
Së pari, si mjet afektiv dhe si një aleat i natyrshëm i institucionit mund të përdoret media, përmes së cilës prezantohet problematika dhe kërkohet sensibilizimi i gjerë institucional për problemin konkret.
Së dyti, mund të shfrytëzohet mundësia e përgatitjes së raporteve të veçanta që i dërgohen Kuvendit apo edhe prezantimi i problematikës së trajtuar në rekomandim si çështje e veçantë në Raportin vjetor që përsëri edhe ky i dërgohet Kuvendit.
Së treti, mund të përdoret komunikimi me sensin e ndërmjetësimit për zgjidhjen e çështjes me autoritetet shtetërore në shkallë hierarkike administrative më të lartë dhe që kanë në varësi administrative organin e administratës publike, të cilit i është dërguar rekomandimi.
Në varësi të çështjes dhe problematikës së trajtuar në rekomandim mund edhe të procedohet më tej me rekomandime në vazhdim për fillimin e ndjekjes penale ndaj personave përgjegjës, apo për marrjen e masave disiplinore administrative, deri në shkarkimin nga detyra të tyre”.
Sa të ndjeshme janë organizmat shqiptare ndaj rekomandimeve tuaja?
“Përgjigja dhe reagimi institucional ndaj rekomandimeve të Avokatit te Popullit, në fakt nuk duhet të jenë çështje ndjeshmërie, por ligjshmërie. Këtu qëndron edhe problemi, pasi sot ne po ndeshemi me mosreagim ndaj rekomandimeve tona, fakt që është theksuar disa herë edhe publikisht nga ana e Avokatit të Popullit. Kjo gjë vlen edhe për rastin e Selitës, pa ndryshuar ky lloj qëndrimi që vetëm ligjor nuk mund të jetë, puna e Avokatit të Popullit vihet para vështirësive dhe sfidave të mëdha. Këtu nuk është çështja tek formaliteti i zbatimit te rekomandimit, por tek respektimi i te drejtave te njeriut që në zinxhirin institucional njeh si garant kushtetues edhe institucionin e Avokatit te Popullit”.
Çfarë ka ndodhur në Selitë?
Në datën 23 korrik 2015, në zonën e Selitës, IKMT-ja filloi veprimin e menjëhershëm pas një vendimi zyrtar për të kryer shembjen e banesave të cilat preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Aktivistët dhe familjarët organizuan një takim me Avokatin e Popullit duke i kërkuar mbështetje për veprimet anti-ligjore nga IKMT. Avokati i Popullit kërkoi nga familjet të cilët pretendojnë se banesat e tyre janë ndërtuar para 1 gusht 1991, dokumente që e vërtetojnë këtë gjë, në mënyrë që të përfitojnë për të kryer procesin e shpronësimit. Banorët i kanë paraqitur ankesat e tyre pranë Avokatit të Popullit për veprimin e paligjshëm të IKMT-së.
Në këtë ditë janë shembur disa banesa, familjet e të cilave kanë pranuar subvencionimin prej 2 vjetësh qera dhe janë larguar nga Shqipëria në drejtim të Gjermanisë për azil.
Në datën 24 korrik 2015, përfaqësues të Avokatit te Popullit erdhën në komunitet për të bërë një dalje mediatike duke shprehur se vendimi i IKMT-së është i paligjshëm. Më datën 27 korrik 2015, aktivistët së bashku me familjet rome, të cilët jetojnë në Selitë organizuan një takim me shefin e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Marco Leidekker për situatën dramatike, që po ndodh në Selitë. Familjarët shprehën shqetësimin e tyre duke e vënë në dijeni për shembjen e banesave nga IMKT pa një vendim.
Përpos informimit të z. Marko për situatën, gjithashtu u diskutua rreth mundësive të ndryshme për ndërhyrje, duke u këshilluar për hapat e mëtejshme. Gjithsesi prishjet e banesave kanë vazhduar edhe deri ditët e fundit të korrikut.
Tek ne të drejtat e njeriut shkelen hapur!
Aktivistja e njohur e çështjet rome, Brisilda Taço shprehet për situatën e fundit të krijuar dhe mungesën e përgjigjeve zyrtare nga ana e shtetit, për të gjithë ato që po ndodhin me banorët…
Të lutem, mund të na thoni se si ka precipituar situata e familjeve rome në Selitë?
“Më datë 23 korrik 2015 ka filluar procesi i prishjes së banesave të romëve e jo romë në Selitë. Situata është shumë tragjike, ndërsa familjet nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar / me shkrim në lidhje me prishjen.
Kjo është kundër ligjit sepse IKMT duhet të informojë zyrtarisht familjet për vendimin e prishjes së banesave , gjë që i jep atyre mundësinë për t’u përgatitur për dëbim, por kjo është edhe një kërkesë ligjore e cila lejon për një proces të rregullt ligjor, që i jep mundësi vendimit të IKMT të çohet në gjykatë. Në rast kur nuk ka një njoftimi me shkrim (zyrtar) nga institucioni është e pamundur për familjet e prekura për t’iu drejtuar gjykatës.
Disa prej familjeve janë në shok, të papërgatitur për zhvendosjen, kurse autoritetet shtetërore, për më tepër, nuk kanë marrë asnjë masë për të lehtësuar këtë situatë, ndërkohë nuk ka personel mjekësor, nuk ka punonjës social, psikolog etj. Disa nga familjet nuk kanë marrë ende qiranë e subvencionuar nga shteti , pra familjet janë te kërcënuar se do të përfundojnë në rrugë”.
Pse edhe pas rekomandimeve te Avokatit, situata vazhdon e njëjtë?
“Nuk është hera e parë që rekomandimet e Avokatit të Popullit nuk merren parasysh.
Ne ( aktivistët dhe familjet që preken) shprehim shqetësimin tonë sepse janë shkelur të drejtat e njeriut dhe parimeve kryesore për mbrojtjen e të drejtave kundër lirimit me forcë të banesës. Për ne ky proces është i paligjshëm”.
A mendoni se mund të ketë një zgjidhje dhe a është rekomanduar ndonjë e tille?
“Rekomandimet e Avokatit të Popullit, përsa i përket zgjidhjes janë të vështira sepse jetojmë në një vend ku të drejtat e njeriut shkelen hapur”.
Rekomandimi i Avokatit të Popullit
Rekomandim për trajtimin e problematikës së 9 familjeve të komunitetit Rom, që preken nga zbatimi i projektit për ndërtimin e Unazës së Re të Tiranës, në zonën e Selitës.
Drejtuar : Kryeinspektores së Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit
Zj. Dallëndyshe BICI
Tiranë
Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të ALUIZNI-t
Z. Artan LAME
Tiranë
Kryetarit të Bashkisë Tiranë
Tiranë
Të nderuar,
Sikurse tashmë jeni në dijeni prej disa muajsh, Institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur trajtimin e ankesave dhe problematikave, që lidhen me pasojat në shkeljen e të drejtave të individëve që kanë ardhur nga veprimet, ose mosveprimet e parregullta, apo të kundërligjshme të organeve përkatëse të administratës publike, gjatë zbatimit të projekteve për ndërtimin e veprave madhore publike.
Një nga këto raste është edhe trajtimi i ankesave që janë paraqitur nga shtetas të ndryshëm dhe veçanërisht nga pjestarë të komunitetit Rom, banorë në zonën e Selitës, të cilët janë cënuar në pronësinë e tyre për shkak të ndërtimit të segmentit të Unazës së Re të Tiranës, pikërisht në zonën e Selitës.
Së fundmi, problematikave të shumta që kanë dalë nga këto çështje i është shtuar edhe ankesa e përfaqësuesve të 9 familjeve Rome, që kanë banesat e tyre në zonën e Selitës, të cilët janë njoftuar verbalisht ditët e fundit nga ana e inspektorëve të Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, për prishjen e banesave të tyre.
Në ankesën e paraqitur ngrihet pretendimi se, banesat e këtyre 9 familjeve (përkatësisht me kryefamiljarë shtetasit Gëzim Jashari, Përparim Gatali, Bujar Muharremi, Nazmi Muharremi, Asterit Demiri, Esat Jashari, Hyrie Karamani, Murat Tafilaku, Nail Tafilaku), janë objekte ekzistuese para datës 10.08.1991, pa dokumente pronësie dhe në këto kushte, ato duhet të kalojnë në pronësi të ligjshme të poseduesve të tyre, me qëllim që të arrihet në një proces shpronësimi.
Shqetësimi i këtyre shtetasve qëndron në faktin se, procedura që duhet të ndiqet në rastin e banesave që posedohen prej tyre, duhet t’i nështrohet parashikimeve të Vendimit të Këshilli i Ministrave, nr.608 datë 5.09.2012 “Për përcaktimin e procedurës së kalimit në pronësi të pasurive të paluajtëshme, të ndërtuara deri më 10.08.1991, e të truallit funksional të tyre, kur nuk posedohen akte fitimi pronësie, si dhe për regjistrimin e tyre”, i ndryshuar.
Megjithatë, ata shprehen se kjo gjë nuk ka ndodhur dhe nuk po ndodh, pasi ALUIZNI që prej Nëntorit 2014 ka nxjerrë vendime për një pjesë të mirë të banesave të tyre për përjashtimin nga procesi i legalizimit, ndërkohë që për pjesën tjetër nuk është shprehur ende me vendim. Nuk mjafton kjo, por ata njoftohen verbalisht edhe nga ana e punonjësve të IKMT-së për prishjen e banesave të tyre, pa ju vënë në dijeni asnjë akt zyrtar për këtë qëllim, ndërkohë që ngrenë pretendimin se kanë aplikuar tashmë pranë Bashkisë Tiranë, për kalimin në pronësi të banesave të tyre dhe të truallit funksional, në përputhje me parashikimet e VKM nr.608 datë 5.09.2012, i ndryshuar.
Me marrjen në shqyrtim të këtyre ankesave institucioni i Avokatit të Popullit ka nisur një hetim, mbi zbatimin e procedurave ligjore ndaj banesave në posedim nga ana e ankuesve.
Problemi i parë serioz, që evidentohet në këtë çështje është se, sikurse në shumë ankesa të tjera të trajtuara nga ana jonë na rezulton që janë ende në proces legalizimi nga ana e ALUIZNI-t, apo janë përjashtuar me vendime përkatëse nga ky proces, objekte të ngritura deri më datë 10.08.1991, së bashku me truallin e tyre funksional, për të cilat nuk posedohen nga subjektet përkatëse, akte të fitimit të pronësisë.
Nga këto ankesa ka rezultuar se vetëdeklarimet e paraqitura nga ana e subjekteve që kanë ngritur këto objekte, datojnë që nga viti 2005 e në vazhdim, ndërkohë që subjektet përkatëse kanë paguar rast pas rasti detyrimet financiare që lidhen me procesin e legalizimit.
Mungesa e informacionit për ecurinë e proceseve nominale të legalizimit nga ana e ALUIZNI-t dhe njoftimet e dërguara në disa raste, nga ana e ish Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK), sot Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT), për prishjen e këtyre objekteve kanë qënë problematikat kryesore, që janë evidentuar paraprakisht në ankesat e marra në shqyrtim nga ana jonë.
Gjendja e statusit juridik të këtyre objekteve është paraqitur edhe më problematike, kur në vendimet e nxjerra nga ana e drejtorive përgjegjëse rajonale të ALUIZNI-t, është konfirmuar fakti se, për arsye të zbatimit të projekteve që lidhen me ndërtimin e infrastrukturës publike, objektet e ngritura deri më datë 10.08.1991, nuk mund të kualifikohen për legalizim, bazuar në përcaktimet e nenit 39, të Ligjit nr.9482 datë 3.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.
Në disa raste ky konkluzion nuk është paraprirë, apo pasuar me vendimmarrje përfundimtare, kurse në raste të tjera është paraprirë, apo edhe pasuar me nxjerrjen e vendimeve për përjashtimin e këtyre objekteve nga procesi i legalizimit, gjë që ligjërisht ka justifikuar ndërhyrjen e mëtejshme të organeve të tjera që ushtrojnë kompetenca në fushën e ligjshmërisë së ndërtimeve në territor, sikurse ndërhyrjet e ish INUK-ut, sot IKMT.
Avokati i Popullit:
R E K O M A N D O J M Ë
1. Analizimin e kujdesshëm dhe inicimin e pritshëm dhe përfundimin në një kohë sa më të shpejtë të procedimeve administrative për konstatimin e pavlefshmërisë absolute, të vendimeve të nxjerra nga ana e Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t, sa i takon objekteve të ndërtuara deri më 10.08.1991, dhe të truallit funksional të tyre, në rastet kur nuk posedohen akte të fitimit të pronësisë, pas hyrjes në fuqi të VKM nr.608 datë 5.09.2012, i ndryshuar, në referencë të ankesave të paraqitura nga 9 familjet ankuese, të cituara në këtë rekomandim.
2. Verifikimin e të gjithë praktikave të tjera të përfshira në ankesat e 9 familjeve në fjalë, për të cilat nuk është marrë ende një vendim dhe që janë në trajtim e sipër nga ana e ALUIZNI-t, si dhe marrjen e masave urgjente për trajtimin e tyre korrekt ligjor, në përputhje me parashikimet e VKM nr.608 datë 5.09.2012, i ndryshuar, duke j’ua përcjellë për trajtim sipas juridiksionit dhe kompetencës ligjore, Bashkisë Tiranë.
3. Ndërprerjen e çdo veprimi të mëtejshëm, apo pezullimin e ekzekutimit të çdo akti të nxjerrë nga ana e IKMT-së, deri në vendimmarrjen përfundimtare nga ana e Bashkisë Tiranë, për kalimin e pronësisë së banesave të familjeve ankuese dhe të truallit funksional të tyre, për të cilat ato nuk posedojnë akte të fitimit të pronësisë, bazuar në përcaktimet e VKM nr.608 datë 5.09.2012, i ndryshuar.
4. Përshpejtimin maksimal të procedurave dhe afateve të vendimmmarrjes për kalimin e pronësisë së banesave të familjeve ankuese dhe të truallit funksional të tyre, për të cilat ato nuk posedojnë akte të fitimit të pronësisë, bazuar në përcaktimet e VKM nr.608 datë 5.09.2012, i ndryshuar, nga ana e Bashkisë Tiranë.
Në përputhje me nenin 22, të Ligjit Nr.8454 datë 4.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, i ndryshuar, lutemi të na vini në dijeni për qëndrimet Tuaja, ndaj këtij rekomandimi.
Duke besuar në bashkëpunimin dhe mirëkuptimin tuaj,
K O M I S I O N E R E
Etilda GJONAJ (SALIU)