Presidenti amerikan, Donald Trump vazhdoi sulmet kundër liderit koreano-verior, Kim Jong-Un të cilin e cilësoi të çmendur duke konfirmuar se ai do të vihej në provë si kurrë më parë.
“Kim Jong-Un i Koresë së Veriut, që është qartësisht një i çmendur që nuk i trembet vdekjes nga uria dhe vrasjes së popullit të tij, do të vihet në provë si kurrë më parë!”, theksoi Trump në një mesazh në rrjetin social Twitter disa ditë pas fjalimit të tij në OKB, ku ai kërcënoi Korenë e Veriut për shkatërrim total.
Donald Trump është një njeri mendërisht me çrregullime që do të paguajë shtrenjtë për kërcënimet kundër Koresë së Veriut, konfirmoi sot Kim Jong-Un, ndërkohë që një prej ministrave përmendi një provë të mundshme të bombës H në Paqësor.
Disa orë pasi Uashingtoni njoftoi një riforcim të sanksioneve kundër Phenianit, lideri koreano-verior bëri një kundërsulm verbal shumë personal ndaj presidentit amerikan, i cili e kishte cilësuar në podiumin e Kombeve të Bashkuara si “mjeriu raketë” dhe që kërcënoi Korenë e Veriut me shkatërrim të plotë.
”Trump më ka fyer, mua dhe vendin im në sytë e mbarë botës dhe ka shprehur deklaratën më të ashpër në histori për luftë”, deklaroi lideri koreano-verior, sipas agjencisë zyrtare koreano-veriore të lajmeve KCNA./b.d