Dhuna në familje në Shkodër është një fenomen që nuk ka lindur vitet e fundit. Teuta Muçaj, nënë e 4 fëmijëve, sot 62 vjeçe tregon si bashkëshorti i saj Shefqet Muçaj e ka dhunuar sistematikisht që në momentet e para kur janë martuar duke tentuar edhe ta mbysë me thikë.Teuta shprehet se ka duruar deri tani për shkak të fëmijëve por edhe mungesës së një shtëpie ndërsa është e vetme, pa motër e vëllezër dhe me prindërit e vdekur.
“Kam 47 vite që jetoj me burrin që kam. Që në momentet e para më ka dhunuar. Më ka rrahur sistematikisht pa patur asnjë arsye. Këtë e ka bërë në sy të fëmijëve, të njerëzve të tjerë. Ka arritur deri aty sa të marrë thikën për të më vrarë. Burri im është pijanec dhe gjithnjë është marrë me femra të tjera. E vetmja që kam punuar dhe rritur fëmijët jam unë. Atij nuk i thënë kush ndonjëherë a u lodhe. Unë nuk kam patur ku të shkoj sepse s’kam as motër, as vëlla dhe prindërit më kanë vdekur ndaj edhe kam duruar edhe për hatrin e 4 fëmijëve. Fëmijët janë të rritur dhe të gjithë jetojnë jashtë Shqipërisë, kam dy djem dhe dy vajza. Vetëm unë kam punuar dhe sërish burri më ka dhunuar pa pushim”.
Në vitin 1998 bashkëshorti i saj ka arritur deri aty sa t’ia drejtojë automatikun njërës prej vajzave kur ajo ishte vetëm 17 vjeçe.
“Ishim duke ndenjur në shtëpi kur burri nisi të më godasë siç e kishte zakon ai. Më rrahu shumë dhe në një moment vajza e vogël që në atë kohë ishte vetëm 17 vjeçe i thotë çfarë ke ma mamin që po e godet, a mund të na tregosh edhe në si fëmijë se çfarë të ka bërë. Në atë moment bashkëshorti doli dhe shkoi në dhomë, mori një automatik që unë nuk e dija se e kishte në shtëpi dhe erdhi. E shtriu vajzën në divan, i vuri një jastëk sipër dhe ia drejtoi automatikun në fytyrë duke tentuar ta vrasë. Në atë moment unë bërtita dhe shumë shpejt u ul një komshi, i moshuar dhe erdhi duke i folur deri sa e qetësoi. Unë lajmërova policinë dhe erdhi policia. I drejtoi automatikun edhe atyre por e kapën dhe e çuan në polici. Ky rast ka ndodhur në vitin 1998”.
Në një moment Shefqet Muçaj i ka kërkuar falje përmes djalit të tyre Teutës me gojë dhe me shkrim. 62 vjeçarja e ka pranuar faljen por sapo ka shkuar për t’i dërguar ushqim sërish e ka goditur.
“Pasi më kishte rrahur sërish, unë kam qëndruar në shtëpinë time sepse e kam marrë një shtëpi nga shteti i atëhershëm. Erdhi djali i vogël nga jashtë dhe shkoi për ta takuar babain e tij. Atje i ka folur duke i këshilluar se nëna të ka duruar gjithë këto vite dhe përse vazhdon kështu. Ai i ka kërkuar falje dhe i ka thënë se më kërkojë edhe mua. Shkova bashkë me djalin dhe u çua në këmbë, më përqafoi dhe tha më fal. Faljen e shkroi edhe në letër. Pasi djali iku nga Shqipëria unë mora gjellën dhe shkova për t’i dhënë me ngrënë sepse s’ka kush i gatuan. Erdhi dhe sapo më pa, ishte i dehur nisi të më shajë. Mora të iki kur më kapi në dorë dhe mori një levë hekuri duke më goditur derisa ashtu arrita të largohem prej tij”.
Teuta ka marrë një urdhër mbrojtje para afro dy muajve por bashkëshorti i saj e ka thyer dy herë urdhërin e mbrojtjes duke e dhunuar 62-vjeçaren dhe duke i thënë se një pushkë e kam ruajtur për ty…
“E ka thyer dy herë urdhërin e mbrojtjes duke më goditur. Herën e fundit kur i çova për të ngrënë më tha se e kam ruajtur një pushkë për ty. Unë lajmërova policinë. Kur erdhi policia dhe bëri kontroll në banesë i gjeti një pistoletë. Kjo ishte hera e tretë që kapej me armë”. Shefqet Muçaj është kapur tre herë me armë që nga viti 1998, ka thyer dy herë urdhërin e mbrojtjes dhe sërish gjykata e Shkodrës e ka lënë në “arrest shtëpie”. Kjo e bën Teutën që të jetojë me frikë. 62 vjeçarja i ka dërguar letër Ministrisë së Drejtësisë duke i bërë të ditur se janë paguar para që bashkëshorti i saj të mos mbesë në burg. Teuta Muçaj kërkon vetëm drejtësinë që deri tani i është mohuar.
“Unë jetoj me shumë frikë sepse burri im është kapur tre herë me armë, dy herë ka thyer urdhërin e mbrojtjes dhe sërish gjykata e Shkodrës e ka lënë me masën e sigurisë ‘arrest shtëpie’. Kur lëshohet tre herë pasi kapet me armë dhe pas dy herësh që thyen urdhërin e mbrojtjes normalisht që fare mirë mund të vijë dhe të më vrasë. Unë pasi u la me ‘arrest shtëpie’ i kam dërguar letër ministrisë së drejtësisë sepse dikush ka paguar para që bashkëshorti im të mos dënohet sepse nuk është dënuar asnjëherë deri tani. Unë nuk kërkoj asgjë tjetër veçse drejtësi që deri tani më është mohuar”.
Si Teuta në Shkodër ka edhe shumë gra të tjera të cilat janë pre e dhunës për vite me radhë dhe jeta e tyre është në rrezik. Policia e Shkodrës çdo ditë në komunikatat për shtyp konfirmon 3-4 raste në ditë të dhunës në familje, kryesisht burra që dhunojnë gratë e tyre /ShkodraNews