Lista Serbe nuk do të lejojë formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ka thënë ministri serb i Mbrojtjes Aleksandar Vulin, duke shtuar se me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të KB-së është saktësuar se KFOR-i është e vetmja forcë e armatosur në hapësirën e Kosovës, transmeton Koha.net.
“Me këto kushte është nënshkruar ajo dhe Marrëveshja për ndërprerjen e armiqësive. Kështu dhe me këtë bashkësisë ndërkombëtare i është mundësuar të shkojë në hapësirën e Kosovës”, ka thënë Vulin për gazetën e Beogradit “Politika” duke komentuar paralajmërimin e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi se Kosova deri në fund të vitit do ta formojë Forcat e Armatosura.
Ai ka shtuar se “nuk ka kush që do të mund të na bindë e të na detyrojë për të pranuar se Ushtria e Kosovës mund të ekzistojë në hapësirën e krahinës”. “Nuk gjendet organizatë, nuk ka forcë dhe nuk mund të ketë presion politik që do të na shtyjë të pranojmë që të krijohet forcë e armatosur në territorin tonë, forcë e armatosur me komandë të huaj, forcë e armatosur që do ta rrezikonte jo vetëm Serbinë por në fund edhe serbët në territorin e Kosovës”, ka thënë Vulin.
Ai është i bindur se ky qëllim i Prishtinës mbetet “mision i pamundur” dhe ka përkujtuar se në Qeverinë e Kosovës janë tre ministra të Listës Serbe.
“Madje, edhe kur e kemi nënshkruar Marrëveshjen e Brukselit, atëbotë kryeministri Aleksandar Vuçiq ka marrë garanci gojore nga sekretari i Përgjithshëm i NATO-s se kurrfarë force e armatosur nuk do të mund ta kalojë Ibrin ose të lëvizë nëpër veri pa pëlqimin prefektëve të komunave serbe”, ka thënë Vulin duke shtuar se “se vetëm me këto kushte është pranuar nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit”.
“Kjo fjalë nuk mund të shkelet dhe qytetarët e Serbisë mund të jenë të qetë sikur qytetarët e gjithë botës. Bashkësia ndërkombëtar duhet ta dijë, drejtësia ndërkombëtare duhet të respektohet dhe do të respektohet ashtu që KFOR-i është e vetmja forcë e armatosur në hapësirën e Kosovës dhe nuk ka forcë tjetër të armatosur që mund të ekzistojë përderisa të mos suspendohet Rezoluta 1244”, thotë Vulin, përgatiti Express. (b.an)